Telegrafi

VV: Ministrat e PDK-së nuk e kanë lexuar programin qeverisës

Vetëvendosje sërish ka kritikuar planin qeverisës, por kësaj radhe me fokus në fushën e ekonomisë. Sipas zyrtarëve të saj, qeveria derisa po proklamon uljen e TVSH-së në realitet është duke e bërë të kundërtën. Mirëpo kjo lëvizje kësaj radhe ka parë edhe anë pozitive të programit qeverisës, duke thënë se bashkimi i dy institucioneve i ATK-së me Doganat është hap pozitiv i ndërmarrë nga kabineti i Isa Mustafës.

Kryetari i VV-së, Visar Ymeri, ka kritikuar programi qeverisës duke thënë se politikat tregtare nuk kanë ndryshuar. “Lehtësimi i tregtisë me jashtë veçanërisht me vendet e rajonit, listohet si një prej prioriteteve që do të kemi me politikat tregtare. Në këtë pikë nuk ka asnjë fjali të vetëm që e cila do të shpjegonte ndikimin që do ta ketë në prodhimin vendor po edhe në të hyrat buxhetore kjo hapje e re. Edhe deri tash Kosova ka pasur tregti pak a shumë të hapur me vendet e rajonit re veçanërisht me vendet që janë të përfshirës në marrëveshje e CEFTAS”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, në programin qeverisës nuk përshkruhet se cili do të jetë ndikimi ekonomik i marrëveshjes së tregtisë së lirë, e nënshkruar aso kohe nga ish-ministrja Mimoza Kusari-Lila.

Madje sipas tij në programin qeverisës nuk thuhet nëse kjo marrëveshje do të ratifikohet në kuvendin e Kosovës, pasi që rëndësia e kësaj marrëveshje për prodhuesit vendor sipas Ymerit është thënë të jetë e madhe, dhe nuk është një çështje që duhet të injoruar.

Ymeri ka folur edhe për Fondin e Punësimit, duke thënë se ende nuk dihet se nga ku do të mblidhen të hollat për këtë fond dhe në çfarë forme do të mblidhen ato.

Kurse, Besnik Bislimi nga VV ka thënë në konferencën për shtyp se hartimi i këtij dokumenti, të krijon përshtypjen se nuk është lexuar fare nga ministrat të cilët vijnë nga radhët e PDK-së, por vetëm nga ata të LDK-së, pasi që strategjia kombëtare e zhvillimit në programin qeverisës, thuhet të jetë bërë për herë të parë.

“Qeveria na premton që për gjashtë muaj ka me përpiluar edhe strategjinë kombëtare të zhvillimit për një periudhë 5 vjeçare, dhe thotë në mënyrë lapidare që historikisht kjo është hera e parë që Kosova do të qeveriset me një strategji kombëtare. Në fakt kjo lë me kuptuar që kabineti qeverisës që vjen prej PDK-së në fakt ka votuar pa e lexuar fare dokumentin. Në qoftë se këta kishin me lexuar këtë dokument sigurisht që nuk kishin me pranuar publikisht që për dy mandate kanë qeverisur pa strategji fare”, ka thënë Bislimi. /Telegrafi/