Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur të mbështesë Agim Bahtirin për kryetar të komunës së Mitrovicës, në kuadër të koalicionit AKR-VV.
Burime të Veriu.info bëjnë të ditur se kandidatura e Agim Bahtirit për kryetar komune do të konfirmohet nesër, me ç’rast drejtuesit e VV nga Prishtina do të vijnë në Mitrovicë për t’u takuar me përfaqësuesit respektiv dhe ta bëjnë të ditur këtë vendim.
Veriu.info mëson se deri te ky vendim ka ardhur, pasi që në kuadër të sondazhit të bërë nga VV javën e kaluar ka qenë i përfshirë edhe emri i Agim Bahtirit, i cili ka qenë dukshëm më i votuar se sa kandidatët tjerë eventual që VV i ka matur në sondazh.
Nga ky sondazh në vendin e dytë është radhitur kryetari i qendrës së VV-së në Mitrovicë, Faruk Mujka, i pasuar nga eksperti i telekomunikacionit, Ismet Hamiti dhe shoumeni Fehmi Ferati.
Me këtë VV zbaton marrëveshjen e lidhur me AKR-në në fund të muajit mars, ku parashihej që këto dy subjekte politike të dalin me një kandidat të përbashkët me kryetar komune.