Site icon Telegrafi

VV: Kontrabandohet rishikimi i buxhetit në Fushë Kosovë

Në një mbledhje të jashtëzakonshme, pa takim paraprak të Komitetit për Politikë dhe Financa, pa materiale të mjaftueshme sqaruese, me dy faqe numrash të paqartë, ekzekutivi i Komunës së Fushë Kosovë e kontrabandoi në Kuvendin Komunal rishikimin e buxhetit për vitin 2015. Kështu thuhet në një komunikatë të lëshuar për media nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas tyre, nga të gjitha projektet e rishikuara, fondet e parashikuara për investime kapitale që sigurojnë mirëqenie për qytetarët u transferuan në mallra dhe shërbime për luksin e komunarëve.
“Arsyetimi i ekzekutivit ishte që këto shkurtime për investime kapitale duhet të shkurtohen sepse prioritet i Komunës është pagimi i qirasë së objektit ku vepron administrate komunale. Lëvizja VETËVENDOSJE! në Fushë Kosovë problemit të objektit komunal ka propozuar t`i jepet zgjidhje me bartjen e administratës komunale në objekte të tjera publike, gjë që e ka ngritur edhe në asamble komunale për diskutim qysh vitin e kaluar”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas Vetëvendosjes, Komiteti për Politikë dhe Finana e ka anashkaluar këtë situatë dhe u ka pamundësuar subjekteve politike që paraprakisht t`i japin propozimet për rishikim të buxhetit dhe për diskutim në kuvend.

Por, fjala nuk iu dha këshilltarit Ylber Islami dhe u pamundësua debati i mëtutjeshëm, propozimet për investime në zgjerimin e sistemit të ujitjes, ndërtimit të shkollës në Nakaradë, investimet në QKMF në Fushë-Kosovë nuk u hodhën as në votim nga Kryesuesi i Kuvendit, Fadil Krasniqi.

“Lëvizja Vetëvendosje konsideron që kjo mënyrë e procedimit dhe ndarjes së buxhetit nga ana e ekzekutivit të Komunës së Fushë Kosovës, tregon papërgjegjshmëri totale ndaj qytetarit dhe trajtim të buxhetit të komunës si fond personal”, përfundon komunikatën VV. /Telegrafi/

Exit mobile version