Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se Komisioni i Ankesave sot ka mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me ankesën e dorëzuar kundër vendimit të dëbimit me forcë të aktivistit Boiken Abazi.
Sipas VV-së, ndonëse ky vendim i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) është ngritur mbi baza fiktive dhe pa dhënë argumente, komisioni nuk po tregon interesimin e domosdoshëm për të bërë dallimin mes provave materiale dhe shpifjeve.
“Komisioni ende nuk ka vendosur mbi ankesën për rastin e Boiken Abazit, edhe pse tashme me ligj vendimi do duhej te merrej sot. Ky komision lë përshtypje se po punon nën ndikime partiake, duke marrë parasysh që pretendon se barra e të provuarit bije mbi palën ankimuese, e jo mbi MPB, akuzat e se cilës kanë qenë krejtësisht të pambështetura mbi prova dhe dëshmi reale”, thuhet në reagim.
VV, bazuar mbi të gjitha provat materiale dhe dëshmitë e dorëzuara për këtë rast nga avokati i Boiken Abazit, pret që të hidhet poshtë menjëherë vendimi për dëbimin e Boiken Abazi dhe te vendosen para drejtësisë personat që e kanë orkestruar këtë vendim politik dhe antiligjor të Qeverisë Mustafa. /Telegrafi/