Telegrafi

VV është e bindur se do të qeverisë me Mitrovicën

Deputeti Albin Kurti e ka hapur tubimin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, duke thënë se komuna është komunë e mirëqenies.
“Ajo investon në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore të cilat qytetarëve ia sjellin rrymën, ujin, transportin, shkollën, ambulancën, bibliotekën, parkun, rrugën, trotuarin, këndin e lojërave e fushën e sportit”, ka thënë Kurti.

Ai më tej tha se komuna nuk është vetëm administratë e as vetëm përfaqësim, e as vetëm ndërtesa e tatime. Ai tha se ajo është e tërë: politikë, qytetari, ekonomia, shërbimet dhe publikja.

Në tubimin e mbajtur të Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, kryetari i kësaj partie Visar Ymeri, ka kritikuar pushtetarët për ndarjen që i kanë bërë këtij qyteti dhe për shkatërrimin e vazhdueshëm të Trepçës.

Ai më tej ka thënë se komuna e qytetarëve është solidare dhe se çdo fshat dhe çdo lagje qyteti i ka nevojat dhe specifikat e veta, por se çështjet lokale janë në të vërtetë edhe çështje qendrore. E për këtë ai tha se trajtimi i tyre si pjesëza të ndara nga tërësia, i zgjidh ato pjesshëm në rastin më të mirë ose zakonisht i lë të pazgjidhura dhe e përkeqëson gjendjen.

 

Duke potencuar se tokat bujqësore rrinë djerrë të papunuara, se industria po punon për interesa të kompanive të huaja e serbe, e jo për përfitim të qytetarëve tanë, emigrimin e rinisë e varfërinë në rritje, Ymeri iu ka bërë thirrje qytetarëve të Mitrovicës për ndryshim. Ai ka thënë se është koha që Mitrovica të zhvillohet, të ketë shërbime të mira shëndetësore e arsim cilësor, si dhe zhvillim të bujqësisë.

“Është koha e juaj. Koha jonë. Koha e Fehmi Feratit Koha e Asamblistëve të Vetëvendosjes. Mitrovicës bashkë ia kemi dhënë zemrën. Për Mitrovicën bashkë i kemi thirrur mendjes. Jemi mbledhur rreth numrit 10, dhjetëfish më shumë se të tjerët. Jepja 10-she Mitrovicës. Jepja Fehmi Feratin Mitrovicës. Jepja Vetëvendosjen Mitrovicës që t’ia kthejmë Mitrovicën qytetarëve“, ishte porosia e Ymerit për mitrovicasit. /Telegrafi/