Vushtrria bëri ndryshime rrënjësore gjatë verës, duke u bërë me pronarë të rinj dhe duke sjellë plot përforcime nga jashtë. Mirëpo, as kjo nuk i kreu punë klubit bardhekaltër, i cili gjendet në fund të tabelës, me rezultate mjaft të dobëta deri tash në Superligë, shkruan sot Gazeta Zëri.
Sidoqoftë, vushtrriasit po shikojnë përpara. Madje, ata ia kanë vënë syrin Evropës. Kryetari Agron Selimi është duke u angazhuar që t’ia sigurojë ekipit kosovar një kundërshtar ndërkombëtar. Ai është në bisedime me drejtuesit e Genoas në Itali, por në opsion është edhe skuadra nga liga e tretë greke, AO Nea Kavala.
“Jemi në bisedime me Genoan dhe me Kavalan. Besoj se në shkurt do ta zhvillojmë një ndeshje miqësore ndërkombëtare, gjatë fazës përgatitore. Kemi mundur edhe tash ta organizojmë një ndeshje të tillë, por duhet luajtur në mesjavë dhe orari është i ngjeshur. Prandaj, e kemi lënë të luajmë vitin tjetër, pasi ekipi ka nevojë për ndeshje të tilla”, konfirmoi për “Zërin” Selimi.
“Nuk po i përmend këtu ekipet nga rajoni, pasi edhe me to mund të luajmë gjatë dimrit, kur të mbyllet pjesa e parë e sezonit. Por, ne po mendojmë për miqësore me klube të mëdha. Dihet se çfarë klubi është Genoa”, nënvizoi ai.
I ndihmon edhe Ujkani
Siç dihet, në Genoa luajnë dy futbollistë shqiptarë: Samir Ujkani dhe Blerim Xhemaili. Selimi ka treguar se në organizimin e kësaj miqësoreje mund të ndihmojë edhe portieri kosovar. “Atje e kemi edhe kapitenin e Përfaqësueses. Ai është nga Vushtrria dhe mund të japë kontribut në këtë punë”, u shpreh kreu i klubit vushtrrias.
Vushtrria nuk ka zhvilluar ndeshje ndërkombëtare në të kaluarën dhe kjo do të jetë një mundësi ideale për lojtarët e këtij ekipi, që ta shijojnë një ndeshje të karakterit të tillë. Siç dihet, Selimi ka përvojë për aranzhimin e ndeshjeve ndërkombëtare, pasi e kishte bërë me kundërshtar disa herë Përfaqësuesen e Kosovës.