Telegrafi

Vushtrria me fabrikë të ujit prej 8.2 milionë euro

Kryeministri Hashim Thaçi, tha se me fillimin e ndërtimit të saj Qeveria e Kosovës përmbushë edhe një obligim që ka ndaj qytetarëve,si edhe një premtim që ua kishte dhënë vushtrriasve. “Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që të përuroj fillimin e punimeve për ndërtimin e Fabrikës, e cila banorëve të këtij qyteti dhe të rrethinës për një kohë të gjatë do t’ua zgjidhë problemin e furnizimit me ujë për pije”, tha kryeministri në largim.

Pas fillimit të punës së kësaj fabrike, Vushtrria dhe rrethina e saj do të kenë në dispozicion 350 litra ujë në sekondë, sasi kjo dhjetë herë më e lartë se ajo që tani ata marrin nga Fabrika për Përpunimin Ujit në Mitrovicë.

Ndërtimi i kësaj fabrike është mundësuar nga Qeveria e Kosovës, e cila në këtë objekt do të investoj mbi 8.2 milionë euro.

“Këto investime rikonfirmojnë se Qeveria e Kosovës është e gatshme që të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve.. Këtë e kemi dëshmuar edhe përmes trefishimit të investimeve në infrastrukturën publike gjatë tri viteve sa kemi udhëhequr me politikat ekonomike për Kosovën”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se efektet e këtyre investimeve do t’i shijoj edhe Vushtrria, jo vetëm pse do të ketë sasi të mjaftueshme të ujit për pije, por se ajo do të jetë pjesë edhe e disa projekteve të tjera. Si është projekti i magjistrales me standarde të larta Prishtinë–Mitrovicë që do t’i siguroj lidhje më të mirë dhe më të lehtë me rrjetin e rrugëve moderne që po ndërtohen në Kosovë. /Telegrafi/