Site icon Telegrafi

Vushtrria ka mbi 12 mijë krerë gjedhe

Me qëllim të përkrahjes së ekonomive familjare që merren me blegtori, Komuna e Vushtrrisë u ka ndarë fermerëve të kësaj ane 285 makina mjelëse për lopë. Këtë projekt kreu i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku e ka vlerësuar vetëm fillimin e ri të investimeve të Komunës në përkrahjen e bujqve.

“Pas investimeve relativisht të mira në infrastrukturën rrugore, në qytet dhe zona rurale, Komuna këtë vit ka filluar me rritjen e investimeve në përkrahjen e ekonomive familjare në bujqësi”, tha Mulaku.
Sipas një njoftimi të Komunës së Vushtrrisë bëhet me dije se për vitin e ardhshëm, komuna do të rris investimet në bujqësi të cilat për investime kapitale do të shkojnë deri në 335 mijë euro, kryesisht në rritjen e fondit blegtoral, perimtari dhe pemëtari.

Ndërkaq Rabie Zahiti, zyrtare në sektorin e bujqësisë, tha se janë përqendruar në makina mjelëse, për shkak se fermerëve u kanë munguar ato, por edhe për shkak të pastërtisë dhe rritjes së cilësisë së qumështit.

Ajo bëri të ditur se me qëllim të përfitimit të një numri më të madh të blegtorëve, secili fermerë që ka përfituar makinë mjelëse ka marrë pjesë me 100 euro në koston e makinës.

Komuna e Vushtrrisë, si rajon bujqësor është një ndër komunat me fondin më të mirë blegtoral në Kosovë. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë dhe ekonomive familjare të vitit 2011, në Vushtrri janë mbi 12 mijë krerë gjedhe, derisa janë edhe 13 qendra të grumbullimit të qumështit. /Telegrafi/

Exit mobile version