Vushtrriasit për herë të parë në historinë e klubit kanë fituar titullin e kampionit. Ballafaqimi mes Llamkos Kosovës dhe Prishtinës, e paraparë të luhet sot, nuk është zhvilluar fare, pasi që kryeqytetasit nuk kanë udhëtuar për në ‘Ferki Aliu’ të Vushtrrisë.
Tashmë ‘Gladiatorët’ e Ismet Munishit bashkë me fansat e tyre kanë nisur festën e titullit të kampionit. Vushtrriasit një javë më parë edhe matematikisht e siguruan titullin e kampionit.
Grupi i njohur i tifozëve vushtrrias ‘Forca’ ka disa ditë që ka nisur përgatitjet për ta festuar në mënyrën më të mirë të mundshme titullin e shumë pritur.
Festa e vërtetë tashmë ka nisur. I gjithë qyteti në festë. Vushtrria është stolisur me ngjyrat bardh e kaltër, derisa në hyrje të qendrës është vendosur një pankartë me mbishkrimin ‘FC Kosova Kampion’.
Festa e madhe vushtrrias ka nisur në ‘Ferki Aliu’, për të vazhduar në rrugët e qytetit, e cila pritet të zgjas deri pas mesnatës. /KP/Telegrafi/