Site icon Telegrafi

Vushtrria bëhet me fabrikë të përpunimit të peshkut, do të punësohen 500 punëtorë

Komuna e Vushtrrisë pritet të bëhet shumë shpejtë me fabrikë të përpunimit të peshkut të detit. Kjo pasi që është marrë vendim për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të tokës në pronësi të komunës. Kjo kërkesë është bërë nga kompania “Emona” në Vushtrri dhe kompania kroate “Conex”, e cila ka premtuar se do të punësojë deri në 500 punëtorë.

Komuna e Vushtrrisë ka marrë vendim që të ndaj në shfrytëzim një pronë komunale për t’u ndërtuar fabrika për përpunimin e peshkut të detit. Ky investim do të bëhet nga kompania kroate “Conex” dhe kompania spanjolle “Oronsa”.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se kjo fabrikë do të punësojë 400 deri në 500 punëtorë. Tahiri tha përparësi do të kenë gratë.

“Te kjo fabrikë, në bazë të kërkesës së investorëve do të punësohen deri në 500 punëtorë, kryesisht nga Komuna e Vushtrrisë. Si fazë fillestare anë planifikuar të punësohen 208 punëtorë”, deklaroi Xhafer Tahiri.

Drejtori i kompanisë kroate “Conex”, Mladen Milakovic, tha se faza e parë e projektit pritet të fillojë shumë shpejt.

“Faza e parë e projektit do të fillojë shumë shpejt dhe qysh në fillim do të punësohen rreth 200 punëtorë dhe shumë shpejt do të fillojë edhe ndërrimi i dytë. Nëse gjithçka shkon sipas planit  do të dyfishojmë  punësimin”, tha Mladen Milakovic.

Latif Resyli nga kompania “Emona”, tha se në ajo çfarë e bën të veçantë këtë projekt është struktura dhe numri i atyre që do të punësohen.

“Gjatë elaborimit të projektit, gjëja kryesore që na ka rënë në sy është numri i punëtorëve dhe struktura e të punësuarve…Në Vushtrri është shumë më lehtë të gjenden punëtorë të kalibrit të tillë se në çdo qytet tjetër të Kosovës”, deklaroi Latif Resyli.

Ky vendim është marrë më mbështetje të gjithë përfaqësuesve të partive politike në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version