Nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Besim Muzaqi ka treguar se në këtë komunë janë 94 raste aktive të të infektuarve me virusin COVID-19.
Muzaqi ka thënë se të mërkurën nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), janë shënuar gjashtë raste të të infektuarve me COVID-19, të cilat sipas tij janë raste simptomatike.
“Do doja ta filloja me ngushëllimin për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre nga virusi COVID-19. Gjashtë raste pozitive që është shqetësuese, të gjitha janë simptomatike. Dhe kjo na bën të shqetësohemi për numrin e të infektuarve potencial që mund të jenë”, ka thënë Muzaqi.
Sipas tij, nga kjo komunë që nga fillimi i pandemisë janë shënuar 395 raste, prej të cilëve 293 janë të shëruar, ndërsa tetë persona kanë humbur jetën.
“Gjithsej nga kjo komunë nga fillimi i pandemisë janë shënuar 395 raste, nga to 293 janë të shëruar, tetë kanë humbur jetën si dhe për momentin aktiv janë 94 aktive. Kemi vetëm disa raste që po trajtohen në Klinikën Infektive dhe shumica e tyre po trajtohen në shtëpitë e tyre me terapinë e paraparë për shërimin e kësaj sëmundje”, tha ndër të tjera nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Muzaqi. /Telegrafi/