Site icon Telegrafi

Vuniqi i gatshëm për ta udhëhequr FBK-në

Anëtari i deritashëm i Bordit të FBK-së e ka shpalosur shkurtimisht edhe projektin, me të cilin synon ta avancojë basketbollin në vend.

Blerim Vuniqi është optimist se do ta fitojë garën për kryetar të ri të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Ish basketbollisti i njohur kosovar mendon se ka ardhur koha që më në fund basketbolli kosovar të udhëhiqet nga një njeri që e kupton këtë sport dhe që e ka kaluar një jetë përreth tij.

Anëtari i Bordit i FBK-së është kandidati zyrtar i zgjedhur nga ky i fundit. Ai tashmë e ka përgatitur një projekt, në bazë të të cilit synon ta qojë përpara basketbollin kosovar.

“Projekti është shumë i thjeshtë: vazhdimi i rrugës drejt ndërkombëtarizimit, fokusi më i madh te të rinjtë, fokusi tek basketbolli i femrave dhe Bordi gjithëpërfshirës”, deklaroi Vuniqi për Express.

“Koha dhe përvoja ime në basketboll, sukseset në këtë sport si lojtar dhe si punëtor sportiv, mendoj se e kompletojnë ID kartën time. Mendoj se në krye të FBK-së duhet të vijë një njeri i basketbollit, që ta udhëheq këtë sport”, vazhdoi ai.

Vuniqi ndër të tjera shton se përkushtimi për basketboll nuk i ka munguar kurrë, që nga viti 1970, kur e kishte nisur karrierën si lojtar aktiv.

Ai ishte njëri prej themeluesve të ligës së femrave, ish kryetar i Prishtinës, anëtar i kryesisë së këtij klubi, punëtor shumëvjeçar sportiv dhe së fundmi anëtar i Bordit të FBK-së.

Vuniqi: Belegu s’e ka përkrahjen e krejt klubeve

Blerim Vuniqi është ndalur të flasë edhe për konkurrentin e tij të mundshëm për kryetar të FBK-së, Erolld Belegu, i cili ditë më parë e konfirmoi publikisht kandidaturën.

Ish kryetari i FBK-së ishte pjesë e një konference për shtyp, të cilën e kishte organizuar Sigal Prishtina, e përkrahur edhe nga klubet tjera.

Në atë konferencë, të mbajtur në Prishtinë, thuhej se biznesmeni kosovar e ka përkrahjen e pothuajse të gjitha klubeve të basketbollit.

Mirëpo, Vuniqi insiston se kundër kandidati i tij nuk e ka përkrahjen e të gjitha klubeve. “Unë kam qenë kandidati zyrtar i Bordit të Federatës, i cili më ka preferuar para të gjithëve. Deklaratat e Belegut janë të pabazuara”, tha redaktori aktual i rubrikës së sportit në RTK.

“Edhe unë mund të them se e kam përkrahjen e klubeve. Ai nuk e ka përkrahjen e krejt klubeve, por të një pjesë të tyre, ashtu siç e kam edhe unë. Po ta kishte përkrahjen e të gjitha klubeve, nuk do të kishte kuptim gara dhe të tjerët do të tërhiqeshin”, përfundoi Vuniqi për gazetën.

Gara për kryetar të ri të FBK-së, i cili do ta pasojë Fatmir Gashin, që dha dorëheqje pasi iu ofrua posti i zëvendësguvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, do të mbahet më 24 gusht. /Telegrafi/ 

Exit mobile version