Ajo që i bën të ngjashme politikat shqiptare gjatë dy dekadave të kaluara, ka të bëjë me jotransparencën e tyre kur bëhen pjesë e koalicioneve qeveritare. Gjithashtu, ajo që i bën të ngjashme partitë politike shqiptare nga e kaluara ka të bëjë edhe me lojalitetin e tyre të pakushtëzuar ndaj vullnetit politik shumicë maqedonas – ndaj partisë maqedonase që ka fituar zgjedhjet dhe mospërfilljen e vullnetit politik shumicë të shqiptarëve. E gjithë kjo jotransparencë dhe ky nënshtrim i verbër ndaj vullnetit politik të shumicës maqedonase ka rezultuar me një dëshpërim të plotë te popullata shqiptare ndaj politikave të subjekteve politike shqiptare.
Si pasojë, kjo ka rezultuar edhe me mosinteresimin e shqiptarëve për të qenë më aktiv gjatë zgjedhjeve parlamentare, gjë që e tregojnë anketat e shumta, nga shihet përqindja e madhe e shqiptarëve që janë shprehur se nuk do të dalin të votojnë në zgjedhjet parlamentare të qershorit, përqindje që dukshëm u rrit gjatë tre viteve të fundit kur BDI-ja u bë pjesë e qeverisë së Gruevskit dhe kur, si kurrë më parë, u pa se sa mospërfillëse ishte partia e Ali Ahmetit ndaj vullnetit politik shumicë të shqiptarëve, duke u bërë krahë i politikave të Gruevskit që kryesisht ishin kundërshqiptare, duke iu bërë krahë një kryeministri të papranueshëm për shqiptarët e Maqedonisë, edhe atë vetëm sepse kryesuesit e BDI-së politikëbërjen e mbështesin mbi parimin se ata duhet ta përkrahin edhe vullnetin politik shumicë të maqedonasve që është kundër popullit të tyre.
Për një popull nuk ka asgjë më keq se sa kur bëhet i pandjeshëm ndaj fatit të vet, qoftë edhe për arsyet që kanë të bëjnë me dëshpërimin e tyre ndaj subjekteve politike që i përfaqësojnë. Për një popull nuk ka asgjë më keq se të pranojë se ndryshimet nuk janë të mundshme, apo të lejojë që dikush t’ia nëpërkëmb vullnetin dhe kur i nënshtrohet bindjes se të gjithë janë të njëjtë, se nuk janë të mundura ndryshimet. Duke e ditur këtë të keqe që mund t’i ndodh popullit tonë dhe duke e ditur se partitë nuk mund të ndryshojnë popullin, por vetveten, Demokracia e Re në epiqendër të vetë ka interesin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe mirëmbajtjen e vullnetit politik të popullit të cilin e përfaqëson. Edhe atë, jo si deklarim parazgjedhor në funksion të marrjes së votave, por si parakusht që të promovojë një funksionim ndryshe partiak, një veprim që do promovojë politikat që janë në shërbim të votuesit, e jo votues që do të jenë shërbëtorë të partive politike.
Që ta realizojë këtë veprim politik ndryshe, Demokracia e Re do të udhëhiqet nga parimi se vullneti politik shqiptar është mbi të gjitha. Vetëm kështu do t’i kundërshtojë të gjitha politikat maqedonase që janë kundër vullnetit politik shqiptar, njësoj siç do t’i luftojë me të gjitha mjetet, forcat e qarqet antishqiptare në Maqedoni, e të cilat kanë për qëllim margjinalizimin e faktorit shqiptar në Maqedoni dhe zhbërjen e interesit shqiptar në këtë shtet. Demokracia e Re gjithashtu do t’i luftojë pamëshirshëm edhe konceptet politike shqiptare, si për shembull ato të BDI-së, që mbështeten mbi logjikën e vasalit, logjikë e cila pa asnjë kusht pranon cilindo vullnet politik shumicë të popullit maqedonas. Kështu që ne nuk mbështesim logjikën e kryesuesve të BDI-së që thonë se ata do respektojnë vullnetin shumicë të popullit maqedonas e do të bëjnë koalicion me cilëndo parti maqedonase që do t’i fitojë këto zgjedhje parlamentare. Ne do ta luftojmë këtë logjikë vasale, meqenëse ajo i nënshtrohet edhe vullnetit politik maqedonas antishqiptar, siç është antishqiptar vullneti politik maqedonas që mbështet Gruevskin.
E gjithë kjo do të thotë se Demokracia e Re paraprakisht do të shpalosë përpara votuesve shqiptarë se për këtë parti nuk vlen parimi i bërjes koalicion qeveritar me cilëndo parti që shpreh vullnetin politikë shumicë të popullit maqedonas. Ne do të mund të bashkëpunojmë vetëm me atë parti maqedonase e cila do jetë e gatshme të gjunjëzohet përpara vullnetit politikë shqiptar. Kështu, qëllimi ynë parësor nuk është pjesëmarrja pa kushte në Qeveri, por ngritjen e vullnetit politik shqiptar në vullnet shtetbërës, bërjen e interesit shqiptar në pjesë të interesit shtetëror.
Duke dashur të bëhemi promovues të një veprimi ndryshe politik, të një veprimi politik që do mbështetet mbi transparencën e plotë përpara popullit shqiptar që përfaqësojmë, Demokracia e Re don t’i jep fund pjesëmarrjes në qeveritë e Maqedonisë duke mos i treguar popullit se në bazë të cilave platforma politike është bërë koalicioni qeverisës. Demokracia e Re do të imponojë në bllokun politik shqiptarë një veprimin politik i cili të detyron që popullit t’ia shpalosësh kushtet e “tregtisë” politike si dhe bashkëqeverisje të plotë me palën maqedonase. Demokracia e Re do të mund të bëjë koalicione paszgjedhore vetëm me ato parti shqiptare e maqedonase që do të pranojnë ribërjen e Kushtetutës së Maqedonisë, e ku në thelb duhet saktësuar se nuk mund të flitet për barazi të plotë në një shtet ku demokracia mbështetet mbi parimin e Badinterit, por buxheti aprovohet sipas shumicës së thjeshtë.
Demokracia e Re do t’i luftojë edhe veprimet politike shqiptare të ngjashme me ato të deritanishmet, e që tre vitet e fundit i demonstroi BDI-ja, që kanë të bëjnë me nëpërkëmbjen e vullnetit politik shqiptar dhe vënien e atij vullneti politik shqiptar në shërbim të vullnetit politik maqedonas antishqiptar të Gruevskit. Demokracia e Re këtë do ta bëjë sepse beson se ua ka borxh shqiptarëve dhe se vetëm një veprim ndryshe politik nga ai i tanishmi, këtë parti mund ta etablojë në forcë të denjë partiake që do të meritojë të jetë bartëse e vullnetit politik shumicë të shqiptarëve të Maqedonisë. Ky vullnet gjithnjë do të qëndrojë mbi interesin e partisë dhe cilitdo grupi partiak!
(Autori është kryetar i Demokracisë së Re)