Site icon Telegrafi

Vullneti i popullit

Vetaktualizimi i vetvetes në kohë dhe hapësirë, është detyrë e natyrshme e ç’do individi që në mënyrë induktive ti shfaqë mendimet subjektive të tij, dhe ti materializojë ato objektivisht, duke e rilidhur veten në relacion me deduktiven dhe anasjelltas, në mënyrë që ta konkretizojë qenien e tij, duke dhënë kontributin që i nevojitet për vetveten, familjen dhe shoqërinë, për të larë borxhin e brezit të cilin e jeton.

Shoqëria është produkt i individëve dhe identifikimi i përbashkët i tyre me kulturë, gjuhë, simbole, histori të përbashkët… i homogjenizon deri në atë masë, sa që ata e perceptojnë vetveten si një popull, madje dhe interesat momentale (qoftë ato edhe në perspektivë), i kanë të ngjashme. Këto interesa, apo tendenca për të vendosur për gjendjen e tyre sociale, ekonomike, politike… janë thellë të ngulitura në qenien e tyre, e cila është kalitur përgjatë një procesi shumëvjeçarë në mënyrë të ngjashme me njëri tjetrin.

Kështu formësohet një civilizim, kështu formësohet një kulturë, kështu formësohet një komb me veçantit e tij dhe rrjedhimisht, kështu formësohet edhe vullneti i popullit, që emocionalisht konsiderohet si i shenjtë, kurse racionalisht dhe politikisht, si i drejtë dhe çdo organizatë, qoftë ato që thirren në emër të fesë, politikës, ekonomisë… bazohen në atë vullnet, ose më saktë në pjesë të atij vullneti, për të tentuar më pas ta devijojnë ose ta determinojnë atë, në binarë fallso që nuk çojnë askund tjetër, pos kundërefektit.

Prandaj, çdo normativë ligjore përgjatë gjithë historisë së njerëzimit, nuk ka mundur ti kundërvihet vullnetit të lirë të një populli të caktuar dhe “e drejta e forcës” që konsiderohej si parim për të shtypur (sunduar) këtë vullnet, rezultoi me kundërefekte shkatërruese për vet shoqërinë në përgjithësi, andaj, në bazë të modifikimit të rendit të sotëm botëror, ku së paku deklarativisht mbretërojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, apo tendencat për krijimin e normativave tjera ligjore që për bazë kanë vullnetin e popullit, ashtu siç është në fakt edhe koncepti i demokracisë, që aq shumë i referohemi, pra sot, popujt udhëhiqen me “forcën e së drejtës”, e cila neve si shqiptarë na jep të drejtën ekskluzive për të shprehur vullnetin tonë real, që na është mohuar paraprakisht, që kur mbretëronte parimi i forcës mbi të drejtën.

Ribashkimi i shqiptarëve në një shtet kombëtar, (ashtu siç kanë vepruar shtetet më të konsoliduara evropiane), është në fakt vullneti i lirë i popullit shqiptar, i ndarë padrejtësisht për herë të fundit para një shekulli dhe përderisa materializimi i këtij interesi kombëtar nuk ka mundur të realizohet me luftë (forcë), sot janë shtuar gjasat që të vijnë në shprehje vetë normativat ndërkombëtare paqësore, që burojnë nga e drejta për vetëvendosje e një populli.

Mirëpo, siç duket interesi gjeostrategjik i superfuqive, edhe këtë herë tenton që të shkel mbi normativat paqësore të cilat vet i ka krijuar dhe ironikisht, për shqiptarët janë krijuar parime të dyfishta ndërkombëtare në kundërshtim me njëra tjetrën, siç është e drejta e vetëvendosjes (si parim i pamohueshëm ndërkombëtar) dhe mosndryshimi i kufijve (që padrejtësisht janë imponuar para një shekulli).

Kundërshtimi i kësaj dyfytyrësie natyrisht se mund ta ngacmonte në një far mase politikën globale, por duke marr parasysh se me këtë qellim të drejtë tonin që mbështetet nga normativat të cilat ata vet i kanë krijuar, nuk mund të shndërrohemi në armik të tyre, atëherë, gjithsesi se vijnë në shprehje “plani B” për Ballkanin, dhe nevojën për ridefinimin e kufijve të këtij rajoni, në bazë të vetëvendosjes së popujve ku ata jetojnë.

Për skeptikët që nuk e konsiderojnë të drejtën për vetëvendosje të popujve si parim funksional ndërkombëtar, mjafton t’ua përmendi se ishte pikërisht ky parim që i “shpëtoi” shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, për ta arsyetuar ligjërisht këtë vendim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Edhe pse në rastin e Kosovës, u shfrytëzuan partitë politike si transmetues së vullnetit të popullit, ishte shumë e qartë se ky vendim ishte një kompromis politikë, pasi që, po të ishte organizuar një referendum, vullneti real dhe i pa manipuluar i popullit shqiptar të Kosovës do të ishte padyshim për bashkim kombëtar.

Ky vullnet i drejtë i shqiptarëve, ka qenë i pamundur të manipulohet deri në vitet e ’90-ta, kur shqiptari e perceptonte lehtë armikun, por me instalimin e disa qarqeve ndërkombëtare në Ballkan që ne i konsiderojmë si aleatë, ky vullnet u peshua dhe u kalkulua në relacion me interesat e tyre gjeostrategjike, kështu që u angazhaun mediat (me vetëdijen e tyre, ose jo), për ta tjetërsuar këtë tendencë të shqiptarëve dhe për ta determinuar tek ndonjë interes tjetër fatamorganistik, siç është integrimi euro-atlantik, në shkëmbim të bashkimit kombëtar.

Opinioni publik që është formësuar nga mediat (të cilat edhe vet nuk janë të vetëdijshme në çfarë parimesh punojnë, por thjesht ndjekin shabllonin e krijuar “profesional”) dhe që është absorbuar nga individ të pa vetëdijshëm kombëtarisht, se zgjidhja shqiptare në Ballkan, finalizohet me integrimin e shteteve ku ata jetojnë (të ndarë), ashtu të ç’akorduar kombëtarisht, në BE dhe NATO, është një utopi dhe turp, në radhë të parë për mosrespektimin e parimeve të demokracisë, duke i mohuar një populli të tërë për ta deklaruar lirisht vullnetin e tij në referendum, hapur dhe i pa indoktrinuar, pastaj turpi kalon në adresë të politikës inferiore shqiptare që e mbështet këtë doktrinë, vetëm për të patur një karrierë dhe një miqësi me personalitete të njohura të politikës ndërkombëtare, duke shpresuar se ajo miqësi (me interes të njëanshëm kombëtar për të huajt, por të dyanshëm karrierist) do të jetë zgjidhje e çështjes së stërlodhur shqiptare në Ballkan.

Formësimit të një opinioni të rrejshëm publik, siç duket i ka ardhur fundi. Pasi që opinionit real publik është duke ia nxjerr sytë shembulli i Greqisë, si një shtet anëtar i BE-së dhe NATO-së, që u pranua në këto institucione pa u gjykua për gjenocidin kundër shqiptarëve mysliman (çamëve), që ngelën në mëshirën e lojërave me kufijtë politik ndërkombëtar, po ashtu ky shtet vazhdon të krijojë politikë raciste dhe luftënxitëse. Pra, kush u garanton shqiptarëve të Maqedonisë, se nuk do t’u ndodh i njëjti fat, aq më tepër kur në prag të integrimit euro-atlantik të këtij shteti, diskriminimi total social, ekonomik, arsimorë, politik… ndaj shqiptarëve, nuk paraqet problem për ndërkombëtarët dhe vihet si kusht vetëm zgjidhja e një kontesti artificial me Greqinë, e asgjë tjetër.

Përderisa do të na imponohet që të kemi institucione të përbashkëta me sllavët, ne vazhdimisht do te tretemi në të gjitha nivelet, pasi që qenia invazive sllave në relacion me qenien tonë, qoftë ajo fisnike apo inferiore kundrejt të huajve, manifestohet në çdo pore të jetës, duke na tretur gjithçka, madje edhe territore. Për veç kësaj, edhe nëse hipotetikisht shqiptarët e Maqedonisë do të jetonin të lirë në këtë shtet, përsëri vullneti i tyre për të jetuar në një shtet të përbashkët me bashkëkombësit e vet, u mohohet padrejtësisht.

Vullneti i popullit, është parimi themelor i demokracisë dhe nëse nuk artikulohet realisht nga forca e politikës dhe diplomacisë, padyshim se do të lind nevoja e vetaktualizimin individual tek çdo shqiptar që është i brengosur për fatin e kombit të tij dhe të brezave që do të vijnë pas, i pjekur dhe i vetëdijesuar të arrijë ta perceptoj nevojën e atdheut për ndihmë multidimensionale, që duke marr parasysh rrethanat, nuk e përjashton as edhe flijimin fizik (luftën), si akti i fundit që duhet ta ndërmerr çdo individ, për t’u dhënë hov proceseve (pa u brengosur aspak se sot gjaku i tij mund edhe të instrumentalizohet), duke e ditur se një vendim i tillë e ngritë qenien njerëzore në piedestalin më të lartë njerëzor, shpirtëror, moral, kombëtar e fetar dhe mbush me vullnet shpirtrat e pastër e të pa indoktrinuar.

Kështu kanë vepruar shumë burra para nesh, edhe pse gjaku i tyre nuk ka mundur ta konkretizonte akoma qëllimin e drejtë që e kanë patur, megjithatë, përderisa vullneti akoma ekziston, kjo nënkupton se çdo hero kombëtar nëpër të gjitha etapat e ndryshme historike, deri tek Harun Aliu (me shokë) i ditëve tona, ka të njëjtin nivel dhe të njëjtën meritë, të cilët e kanë mbajtur gjallë vullnetin për të vazhduar rezistencën permanente të shqiptarëve, kundër okupatorëve të ndryshëm. Së paku në këtë mënyrë mund ta lajmë borxhin e brezit që e jetojmë dhe të mos ua trashëgojmë problemet tona, atyre që do të vijnë pas nesh. Përderisa kombet tjerë përparojnë, ne ende nuk ua kemi krijuar themelin fëmijëve tanë.

Përfundimisht, bashkimi kombëtar është “pika zero (baza)”, ku duhet të arrihet për të themeluar institucione të shëndosha shtetërore, duke i shfrytëzuar të gjitha resurset njerëzore, natyrore, ekonomike, politike, intelektuale… për të filluar nga fillimi atë që shtetet evropiane e kanë bërë (disa edhe me luftë) shumë kohë para nesh, deri tek realizimi i këtij qëllimi fisnik, real, legjitim, legal, demokratik dhe paqësor, forca e së drejtës si parim modern ndërkombëtarë, duhet patjetër që të vij në shprehje edhe në rastin tonë, që do të ishte mënyra e vetme për ta parandaluar atë që na imponohet pa nevojë.

(Autori është i diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Komunikimit dhe redaktor në gazetën elektronike Shqipmedia)

Exit mobile version