Një vullkan në gadishullin Reykjanes në Islandën jugperëndimore ka shpërthyer për herë të shtatë në vit.
Shpërthimi filloi me një paralajmërim pasi u krijua një çarje rreth 3 kilometra e gjatë.
Sipas zyrës meteorologjike të Islandës e cila monitoron aktivitetin sizmik, aktiviteti vlerësohet të jetë dukshëm më i vogël se shpërthimi i mëparshëm në gusht.
“Ky është pak më i vogël se shpërthimi i fundit dhe shpërthimi që ndodhi në maj”, tha Magnus Tumi Guomundsson, profesor i gjeofizikës që fluturoi mbi vullkan me agjencinë e Mbrojtjes Civile të vendit për të monitoruar ngjarjen.
Ndërsa shpërthimi nuk përbën kërcënim për udhëtimin ajror, autoritetet paralajmëruan për emetimet e gazit nëpër pjesë të gadishullit, duke përfshirë qytetin e afërt të Grindavik, shkruan AP, përcjell Telegrafi.
Gjithashtu, rreth 50 shtëpi u evakuuan pasi agjencia e Mbrojtjes Civile lëshoi alarmin.
Shpërthimet e përsëritura vullkanike afër Grindavik, i cili është rreth 50 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit, Reykjavik, si dhe ka një popullsi prej 3,800 njerëz, kanë dëmtuar infrastrukturën dhe kanë detyruar shumë banorë të zhvendosen.
“Grindavík nuk është në rrezik siç duket dhe nuk ka gjasa që kjo çarje të zgjasë më, megjithëse asgjë nuk mund të përjashtohet”, tha Magnus Tumi.
Ndryshe, Islanda, e cila ndodhet mbi një pikë të nxehtë vullkanike në Atlantikun e Veriut, mesatarisht ka një shpërthim çdo katër deri në pesë vjet.
Më shqetësuesi në kohët e fundit ishte shpërthimi i vitit 2010 i vullkanit Eyjafjallajokull, i cili hodhi hi në atmosferë dhe ndërpreu udhëtimet ajrore për muaj të tërë. /Telegrafi/