Site icon Telegrafi

Vulin do të takohet me Putinin, BE-ja me reagim të butë

Bashkimi Evropian (BE) i tha Serbisë se mbajtja e lidhjeve me Rusinë gjatë agresionit kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat e Unionit dhe procesin e anëtarësimit.

Reagimi i Brukselit pasoi takimin e paralajmëruar të zëvendëskryeministrit serb, Aleksandar Vulin me presidentin rus, Vladimir Putin, në margjinat e forumit ekonomik të mbajtur në Vladivostok nga 3 deri më 6 shtator.

“Bashkimi Evropian ka qenë i qartë si kristali me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë.

BE-ja “dëshiron të llogarisë në të gjitha vendet kandidate si partnerë të besueshme evropiane për parimet, vlerat, sigurinë dhe prosperitet të përbashkët”.

Siç njoftoi kabineti i Putinit, presidenti rus do të takohet nesër me Vulinin. Përveç ministrit serb, diktatori rus do të takohet në të njëjtën ditë edhe me kryeministrin e Malajzisë dhe zëvendëspresidentin e Kinës.

Duke iu përgjigjur pyetjes së evropëslirë për takimin e Vulin me Putinin, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq tha se njoftimin për atë takim e ka parë nga mediat. Ai deklaroi se “nuk është asgjë epokale dhe aq e tmerrshme” që Vulin të takohet me Putinin në Rusi.

Vuçeviq theksoi se Serbia nuk inkurajon luftën në Ukrainë dhe nuk mbështet shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.

Që nga maji i vitit 2024, kur mori postin e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin ka bërë dy vizita zyrtare në Rusi.

Ai vazhdoi të mbajë lidhje të ngushta me Kremlinin pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës në muajin shkurt të vitit 2022. Gjatë vizitave në Moskë, ai vazhdimisht thekson se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Kremlinit.

Vulin është nën sanksione e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndër të tjera, për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë.

Serbia është një nga vendet e pakta evropiane që nuk vendosi sanksione ndaj Moskës pas pushtimit të Ukrainës. /Telegrafi/

Exit mobile version