Site icon Telegrafi

Vulin: Serbia kurrë nuk do të anëtarësohet në NATO

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha të mërkurën se Serbia ka zgjedhur të mbetet vend ushtarakisht neutral dhe se kurrë nuk do të bëhet anëtare e NATO-s, apo e ndonjë aleance tjetër ushtarake.

Vulin i bëri këto komente në një konferencë për siguri që u mbajt në Moskë.

Ai tha se NATO-ja me bombardimet e para 20 vjetëve mbi caqet e ushtrisë serbe “ka bërë përpjekje të vrasë Serbinë, porse ka vrarë të drejtën ndërkombëtare”.

“Serbia, e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, është rimëkëmbur por e drejta ndërkombëtare nuk është. Serbia është ende gjallë, por e drejta ndërkombëtare është ende e vdekur”, tha Vulin, gjatë prezantimit të tij me temën, “Siguria e Ballkanit midis sfidave globale dhe trashëgimisë rajonale”.

Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Vulin po merr pjesë në “Konferencën e Tetë të Sigurisë Ndërkombëtare”, e cila po i zhvillon punimet në Moskë nga data 24 deri më 26 prill.

Është njoftuar se Vulin do të takohet edhe me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Exit mobile version