Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka thënë se për Serbinë një zgjidhje kompromisi me Kosovën është “demarkacioni dhe ndalimi i përhapjes së Shqipërisë së Madhe”.
Vulin, në një intervistë për gazetën “Kurir”, ka thënë se pret që Prishtina t’i vazhdojë provokimet dhe përpjekjet për të ndërprerë dialogun.
“Ata e dinë se negociatat me Vuçiqin nuk janë të mira për ta, dhe këtë e pranojnë me vështirësi”, ka thënë Vulin, përcjell Telegrafi.
I pyetur se si as pas gjashtë muajsh nga vrasja Oliver Ivanoviqit, nuk ka ndonjë rezultat nga hetuesia, ai tha se “Prishtinës dhe një pjese të madhe të komunitetit ndërkombëtar u konvenon që të mos arrihet deri tek zgjidhja” e rastit.
“Do të doja të kishim kontroll të plotë që do të na mundësonte ta zgjidhim krimin, por nuk e kemi, prandaj mundësitë tona janë ngushtuar”, tha Vulin, duke shtuar se “ata nuk do të ndalojnë kërkimet për vrasësit e Ivanoviqit”. /Telegrafi/