Site icon Telegrafi

Vuçiqi nuk po ndjehet mirë, anulon takimet me ambasadorin rus dhe kinez

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk i ka punët mirë me shëndet. Ai ka anuluar takimet e sotme me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës në Beograd.

Lajmin e ka bërë të ditur Suzana Vasiljeviq, këshilltare për media e Presidentit të Serbisë.

“Shëndeti i presidentit nuk ishte i mirë, kurse Ursula von der Leyen [Presidentja e Komisionit Evropian] arrin nesër në mbrëmje, kurse pasnesër bashkë me të jemi në Nish, ku do të shënojmë fillimin e punës në korridorin e ri hekurudhor. Pas kësaj ne shkojmë në Dubai, kështu që ai duhej të pushonte pak. Kështu që ne vendosëm, respektivisht mjekët i sugjeruan që ai të bëjë një pushim”, tha Vasiljeviq në emisionin e mbrëmjes të Euronews.sr, përcjell Telegrafi.

E pyetur nëse ka vend për shqetësim, ajo tha se shpreson që gjithçka do të jetë në rregull. “Është vetëm çështje lodhjeje”, tha këshilltarja e presidentit.

Sipas Vasiljeviqit, takimet e planifikuara për të martën me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës janë shtyrë për të mërkurën.

Ndërsa kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka thënë se presidenti serb është me grip.

“Mund të them se ai nuk po pushon. Do të doja që ai të pushonte pak më shumë. Ai është nën një tension të tmerrshëm, natyrisht, për gjithçka që po ndodh në ‘Kosovë dhe Metohi’. Mendoj se ai nuk ka fjetur net të tëra. Përkundër të gjitha këtyre, atë e ka kapur edhe gripi. Sistemi imunitar i tij u dobësua, natyrisht shkaku nga ajo ngarkesë dhe stresi”, tha Brnabiq për Happy TV.

Është anuluar edhe fjalimi i paralajmëruar i Vuçiqit në konferencën dy -ditore “Ballkani Perëndimor, një rajon, një treg – një hap drejt tregut të përbashkët të BE-së” në Novi Sad. /Telegrafi/

Exit mobile version