Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zgjedhur Shqipërinë për të kaluar fundjavën, derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po qëndronte në një vizitë dy ditore në vendin tonë.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se janë të takuar në bregdetin shqiptar në Durrës, në një drekë pune me presidentin Thaçi.
Meta ka thënë se “Forcimi i stabilitetit rajonal dhe perspektivës evropiane të rajonit është qëllim i përbashkët”.
Postimi i plotë i Metës:
“Kënaqësi të takohesha sot në Durrës për një drekë pune me Presidentin e Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi. Rritja e mëtejshme e shkëmbimeve të gjithanshme midis dy vendeve është një prioritet i përbashkët. Forcimi i stabilitetit rajonal dhe perspektivës europiane të rajonit është qëllim i përbashkët.
Ndaj është me rëndësi vazhdimi i dialogut për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve Kosovë – Serbi që do të garantojë jo vetëm njohje reciproke midis dy vendeve si edhe të ardhmen e tyre në BE por dhe një bashkëjetesë të përhershme midis shqiptarëve e serbëve në interes të gjeneratave të ardhshme”, ka shkruar Meta. /Telegrafi/