Latif Mehmeti
Një ditë më herët në media u raportua se ish-prokurori i Serbisë për krime lufte, Vladimir Vukçeviq, kishte kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të tregojë se kush janë autorët e vrasjes së gjashtë të rinjve serbë më 1998, në kafenenë “Panda” në Pejë.
Parimisht, ne jemi për hetimin e çdo vrasje që është kryer nga kushdo që e ka kryer, ndaj civilëve të pafajshëm.
Por, është një problem këtu, jo problem i vogël, po i madh me drejtësinë e Serbisë, që edhe më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës vazhdon ta ketë mendësinë fashiste.
Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë 1 432 fëmijë, të dhëna këto të faktuara nga Nysret Pllana.
A nuk do të duhej të dëshmonte Vuçiqi edhe për vrasjen e këtyre fëmijëve, sepse ka qenë njëri nga ndihmësit e kasapit të Ballkanit, Millosheviqit.
Vuçiq di shumëçka për vrasjet që kanë ndodhur ndaj civilëve në Kosovë, di për zhdukjet e civilëve, di për trupat e tyre ku janë djegur nëpër shkritore të fabrikave.
Andaj, ish-prokurori, që është veç një palaço i pushtetit fashist të Serbisë, duhet t’ia bënte një kërkesë Vuçiqit të tregonte ku janë zhdukur shqiptarët e pafajshëm që u vranë e u masakruan nga ushtria gjenocidale e Serbisë.
Sa për t’ia kujtuar këtij ish-prokurori, 78 fëmijë shqiptar janë gjetur në varrezat masive në Serbi. Vetëm në Batajnicë në varrezën B1 janë gjetur trupat e nëntë fëmijëve, në mesin e tyre edhe një fetus 8 muajsh.
Edhe 99 fëmijë janë ende të zhdukur. Familjarët e tyre presin të paktën eshtrat t’iu gjenden, sepse shpresën për drejtësi e kanë humbur përballë një pushteti krejtësisht fashist që është në Serbi që nga viti 1999 dhe nuk ndihmon aspak në zbardhjen e masakrave që janë kryer në Kosovë ndaj popullsisë civile.