Site icon Telegrafi

Vuçiq viziton ushtrinë në Rashkë, paralajmron takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar me 27 dhjetor se ka vizituar disa njësi të Ushtrisë së Serbisë “diku midis Kralevës dhe Rashkës” dhe paralajmëroi një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, por pa dhënë më shumë detaje.

Komuna e Rashkës në Serbi gjendet afër kufirit me Kosovën.

“Unë besoj në drejtësi dhe ligj, por më shumë se çdo gjë në urtësinë, por edhe forcën dhe vendosmërinë serbe”, shkroi ai në Instagram.

Më herët gjatë ditës, Vuçiq tha se janë duke folur “me të gjithë” dhe janë duke “bërë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, për të gjetur një zgjidhje kompromisi.

Presidenti serb pyeti se “kënd e shqetësojnë barrikadat në veri të Kosovës, kur askush nuk kalon nëpër ato rrugë, përveç serbëve, të cilët i përkrahin barrikadat si formë proteste dhe luftojnë për të drejtat dhe jetën e tyre”.

“Pse dikush në mënyrë histerike insiston në heqjen e barrikadave, sepse është e nevojshme që serbët të dëbohen nga veriu i Kosovës, sepse vetëm kështu e shohin zgjidhjen e problemit, si shqiptarët në Prishtinë ashtu edhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar”, tha ai pas takimit me Patriarkun Porfirije.

Vuçiq ka urdhëruar dje që forcat e armatosura dhe njësitë policore të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake.

Exit mobile version