Telegrafi

Vuçiq thotë se nuk guxon ta prezantojë të gjithë planin evropian

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar në Kuvendin e Serbisë se 90 për qind e asaj që ka dalë në opinion rreth përmbajtjes së propozimit të BE-së për zgjidhjen lidhur me Kosovën, është i vërtetë.

“Në pikën 4, shkruan se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në çfarëdo organizate ndërkombëtare”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Gjatë fjalimit në Kuvend, theksoi se nuk guxon të zbulojë tërë planin evropian për Kosovën, duke shtuar se do të zbulojë vetëm atë që ai e konsideron pjesa më e rëndë për Serbinë.

Megjithatë, sipas tij në këtë plan ka edhe gjëra të mira.

“Ajo çfarë është më e rëndësishme në plan është korniza politike, momentumi në të cilin mund të ndodhë gjithçka”,  porositi presidenti serb.

Ai tha se politika e Serbisë është që me çdo çmim të ruaj paqen dhe stabilitetin, dhe se Beogradi do të këmbëngulë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti i Serbisë përsëriti atë që i tha ekipi diplomatik evropiano-amerikan gjatë takimit në Beograd më 20 janar, se do të ketë pasoja nëse Serbia nuk e pranon planin evropian për Kosovën.

“Më thanë se do të përballeni me pezullimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në, jo vetëm me ndërprerjen e ardhjes së investimeve të mëtejshme, por edhe me tërheqjen e të gjitha investimeve nga vendi juaj dhe me masa të tjera gjithëpërfshirëse që duhet të tregojnë se ata që nuk janë dakord me BE-në”, tha Vuçiq. /Telegrafi/