Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 10 shkurt se Lista Serbe ka arritur një “fitore të madhe dhe të rëndësishme për Serbinë” në zgjedhjet në Kosovë dhe “tregoi vendosmërinë e fortë të popullit serb, që të bashkuar të ruajnë vatrat e tyre dhe të mbështetet në Serbinë e saj”.
“Ata (serbët në Kosovë) kanë presidentin e tyre, vendin e tyre dhe e duan atë vend, Serbinë, më së shumti në botë. Unë u jam pafundësisht mirënjohës për këtë dhe ata kanë treguar se si një komb sillet me përgjegjësi dhe seriozitet në një situatë të vështirë”, tha Vuçiq.
Ai theksoi se nuk do të spekulojë dhe “të ndërhyjë në marrëdhëniet ndërshqiptare”, por se kushdo që të formojë qeverinë me Albin Kurtin pas kësaj “do të jetë i vdekur politikisht”.
Ai shtoi se Lista Serbe “me gjithë dobësitë, mangësitë dhe gabimet e saj arriti të fitojë besimin më të madh të serbëve” në Kosovë, transmeton Telegrafi.
Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë më 9 shkurt, në bazë të 99.17 për qind të votave të numëruara, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka marrë rreth 36.784 vota ose 4.43 për qind të votave, ndërsa partia e Nenad Rashiqit, shpreson të arrijë të marrë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Sipas rezultateve aktuale, Lista Serbe e humbi mbështetjen me rreth 7600 vota në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, kur kishte 44407 vota.
Në anën tjetër, Nenad Rashiq mori më shumë mbështetje me gati 2000 vota. /Telegrafi/