Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vlerëson se mund të pritet një presion i përqendruar nga BE-ja dhe SHBA-të mbi Serbinë në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Presidenti serb, pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij, Partia Progresive Serbe (SNS), siç raporton “Beta”, tha se Serbinë e pret një periudhë e vështirë në të cilën, siç vlerësoi ai, “do të ekspozohet ndaj të gjitha presioneve të mundshme, fushatave dhe të pavërtetave”.
“E rëndësishme është të kuptohet pesha e pozicionit në të cilin jemi tani, veçanërisht pas ndryshimit në administratën e SHBA-së. Duhet pritur presion të përqendruar nga BE-ja dhe SHBA-të mbi Serbinë në përmbushjen e kërkesave për, siç thotë hapur Washingtoni, njohjen e Kosovësa, ndërsa BE do të përdor një fjalor pak më të ndryshëm, por me të njëjtin qëllim”, tha Vuçiq, transmeton Telegrafi.
Vuçiq tha se në takimin e partisë së tij u fol edhe për vizitën që do të realizojë javën e ardhshme përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Do të flasim për atë që Serbia mund të bëjë, për atë që nuk mund të bëjë, për atë që dëshiron dhe për atë që nuk na shkon në mend me asnjë kusht”, tha Vuçiq.
Ai po ashtu njoftoi se, në ditët në vijim, do të mbahet një takim në qytetin serb të Kurshumlisë me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.
Duke folur për rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë, ai tha se Lista serbe arriti dominim absolut tek serbët në veri të Kosovës dhe se ajo kishte një rezultat pak më të ulët në zonat serbe në jug të Ibrit.
“Ne do të marrim hapa dhe masa për të kundërshtuar dhunën e subjekteve politike shqiptare që abuzojnë me përfaqësues të caktuar serbë me mjete demokratike. Albin Kurti thotë se ai dëshiron të flasë vetëm me disa serbë nga Kosova dhe jo me Beogradin në mënyrë që ai të thotë se Kosova është e pavarur. Populli serb e kupton ëtë dhe kjo është arsyeja pse e votoi për Listën Serbe në atë masë, por jo të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare do ta kuptojnë këtë”, tha Vuçiq. /Telegrafi/