Telegrafi

Vuçiq sot takohet me ambasadoren e Maqedonisë, ndërsa nesër Dimitrov-Daçiq

Ashtu siç u njoftua dje nga Telegrafi Maqedoni, stafi i Ambasadës serbe sot kthehet në Shkup, kumtoi MPJ-ja në Maqedoni, ndërsa kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq, do të takohet sot në ora 11:00 me ambasadoren e Maqedonisë në Beograd, Vera Jovanovska Tipko, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ambasadorja serbe në Shkup Dushanka Divjak Tomiqw, sipas MPJ-së serbe, duhet të kthehet në Shkup më 31 gusht, ndërsa pritet takim në mes saj dhe kryeministrit Zaev më 1 shtator.

Përndryshe edhe diplomati Ivica Daçiq dhe ministri i MPJ-së së Maqedonisë Nikolla Dimitrov, do të takohen nesër në Nish ku ‘me rrugë të dialogut do të fillojnë zgjidhjen e çështjeve të hapura me qëllim të avancimit të marrëdhënieve miqësore mes dy shteteve dhe dy popujve’.

Qeveria e Maqedonisë dje (23 gusht 2017) përmes një njoftimi të përbashkët me kabinetin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se pas një bisede telefonike mes Zaevit dhe Vuçiqit janë rishikuar gjitha aspektet e situatës së krijuar pas incidentit diplomatik që ndodhi të dielën në mbrëmje dhe është arritur që çdo keqkuptim ta tejkalojnë me dialog. /Telegrafi/