Telegrafi

Vuçiq i sigurt se nuk do të ketë takim në Paris, Prishtina kërkon që Amerika të jetë vendimtare në dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk do të ketë takim në Paris. Gjatë një interviste dhënë televizionit serb Pink, Vuçiq, ka thënë se shqiptarët e Kosovës kanë pasur dëshirë t’i dërgojnë porosi gjermanëve dhe francezëve që evropianët nuk duhet ta zgjidhin çështjen e Kosovës.

“Me 99 për qind siguri mund të them se nuk do të ketë takim në Paris”, ka shtuar presidenti serb, duke vlerësuar se gjermanët dhe francezët e kanë “kuptuar mirë” porosinë që sipas tij u ka dërguar Prishtina, transmeton Telegrafi.

Vuçiq tha se Serbia ka vepruar në mënyrë konstruktive, serioze dhe kërkon dialog dhe zgjidhje konstruktive, por pranoi se vendi i tij nuk dëshiron të hyjë në bisedime, në të cilat duhet paraprakisht ta nënshkruaj pavarësinë e Kosovës e të mos flitet fara për tarifat për mallrat serbe.

Sipas tij këto janë disa prej gjërave që tregojnë se Prishtina nuk dëshiron dialog, dhe që për gjithçka të udhëhiqet nga SHBA-të dhe askush tjetër. Ai beson se një gjë e tillë nuk është reale, kurse gjermanët dhe francezët e kanë kuptuar këtë mirë.

“Mendoj se është vendim i tyre që të mos ketë takim”, ka shtuar presidenti serb duke aluduar në atë se ekzistojnë gjasa të vogla apo më mirë thënë një në njëqind që shqiptarët të pranojnë që të bisedohet për taksën.

“Në Paris do të ketë takim vetëm nëse shqiptarët sillen me seriozitet, e një gjë e tillë nuk do të ndodhë”, ka thënë për fund Vuçiq. /Telegrafi/