Site icon Telegrafi

Vuçiq, shumë gjëra ke për të mësuar

Spartak Ngjela

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, deklaroi dje kapitullimin e Serbisë, me pretendimin që “Kosovën e mbron Washingtoni dhe Londra”.

Ai e pa këto ditë me ngashërim dhe tërbim që elita e forcës botërore ishte me pavarësinë e Kosovës.

Ishte i mërzitur.

Po pse, nuk e di ky nacionalist steril serb se Shqipërinë e ka gjymtuar Rusia dhe Franca dhe heshtja e Londrës?

Nuk e di ky hero milosheviqinan që shqiptarët janë masakruar nga serbët dhe osmanët bashkë, se i ka përkrahur Rusia?

Tani e kuptoi presidenti serb se në analet e politikës anglosaksone është quajtur gabim i Londrës politike shkatërrimi i Austro-Hungarisë dhe krijimi i Jugosllavisë?

Tani e mësoi presidenti serb se politika anglosaksone është kthyer te politika realiste dhe e thellë austro-hungareze me shqiptarët dhe për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor?

Pse, nuk e di historiografia shqiptare që emri Kòsovo është emër sllav i vendosur me dhunë nga Stambolli dhe Moska në shekullin e XIX-të, për të larguar shqiptarët dardanë me dhunë nga trojet e tyre tre mijë vjeçare?

Pse kaq të lehtë jeni, z. Vuçiq, ju serbët që vërtet mendoni se mund të blini shqiptarët ashtu siç i keni blerë në këta 200 vjet?

Pse, z. Vuçiq, vërtet mendoni se me korrupsionin aktual shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë do të vazhdoni eskalimin në pushtim të tokave shqiptare?

Pse, z. Vuçiq, tani e kuptove që aleanca amerikano -shqiptare sapo ka nisur dhe ka në qëndër të saj unifikimin shqiptar në Ballkanin Perëndimor?

Pse, z. Vuçiq, tani e kuptove që aleanca shqiptaro-amerikane për Ballkanin Perëndimor, ka pushtetin real sot në Shqipëri dhe nuk i përfill fare ca të korruptuar kryeministrorë në Tiranë?

Pse, z. Vuçiq, më gjithë mend shpresove që me një grusht të korruptuarish shqiptarë do të mundje ti politikën amerikanë në Ballkanin Perëndimor?

Pse, z. Vuçiq, tani u binde që korrupsioni kryeministror shqiptar është “një njëri i vdekur tashmë” në Tiranë?

Pse, vërtet nuk e kishe kuptuar, z. Vuçiq, që Dardania ishte guri themelor i shkatërrimit të Jugosllavisë, kurse vetë Milosheviqi ishtq krijim tragjik i dëshpërimit dhe jo i shpresës?

Pse, tani, pas njëzetë vjetësh, e kuptuat ju, z. Vuçiq, që jo ju, por shqiptarët janë aleatë natyrorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Pse, z. Vuçiq, vërtet menduat ju serbet se të ardhurit do t’i shuanin nga faqja e dheut arbërit autoktonë të Ballkanit?

Pse, ende nuk e dini ju, z. Vuçiq, që ky yni quhet Gadishulli Ilirik, se Ballkan ka rreth 100 vjet që e kanë quajtur rusët dhe turqit për hatrin tuaj si pushtuese?

Dhe më në fund, përsëri nuk jeni të humbur me gjithsej. Dhe, gjithashtu: Nuk ka rëndësi, se ne shqiptarët kemi një shprehje të mënçur e të bukur që e keni në favor: Më mirë vonë se kurrë.

Exit mobile version