Site icon Telegrafi

Vuçiq reagon ‘pesë minuta pas lajmit’ se Kosova ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot pas hapjes së një panairi të veturave në Beograd se “pesë minuta më parë” ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gervala-Schwartz, ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Dhe me këtë, siç ka pretenduar presidenti i Serbisë, pala kosovare “ka prishur” marrëveshjen e Uashingtonit, përcjell Telegrafi.

Në këtë drejtim, Vuçiq ka bërë të ditur se seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare do të mbahet të premten në orën 11:00.

Ndërkohë të mërkurën, ai kishte deklaruar se lidhur me këtë, do të kishte “përgjigje serioze” ndaj Kosovës.

Lexo po ashtu Donika Gërvalla dorëzon zyrtarisht aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Ndryshe, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla ka dorëzuar në Këshillin e Evropës, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion.

Ministrja ka theksuar se sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshill të Evropës.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës në një mbledhje të jashtëzakonshme ka miratuar nismën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Vendimi i miratuar sot obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Këshilli i Evropës është institucioni më i vjetër i të drejtave të njeriut në Evropë që bashkon demokracitë nga i gjithë kontinenti për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Ky institucion i cili është themeluar në vitin 1949, ka seli në Strasburg të Francës.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Vlerësohet se përfitimi kryesor i një anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë për qytetarët pasi ata do të kenë qasje në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut.

Pos kësaj është edhe aspekti diplomatik dhe politik i afirmimit të shtetësisë së Kosovës.

Shtetasit e Kosovës do të mund t’i drejtoheshin këtij institucioni nëse do të mendonin se u janë shkelur të drejtat e tyre nga shteti i Kosovës apo cilido shtet anëtar i Këshillit.

Lexo po ashtu Çfarë është Këshilli i Evropës dhe çka përfiton Kosova nëse anëtarësohet

Mirëpo, kjo mund të arrihet vetëm kur janë shterur të gjitha mundësitë ligjore brenda vendit.

Ndryshe, procedurat kërkojnë që një shtet anëtar i Këshillit të Evropës të propozojë anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave. Pas kësaj Asambleja e Këshillit të Evropës kërkon opinion nëse Kosova i plotëson kriteret juridike për t’u bërë anëtar fuqiplotë.

Për anëtarësim kërkohen 2/3 e votave të përgjithshme që Kosova i ka, duke u bazuar në shtetet që kanë njohur vendin tonë.

Ndërkaq, më 16 mars Federata Ruse është përjashtuar nga Këshilli i Evropës. Procedura për t’i dhënë fund anëtarësimit të Rusisë filloi fillimisht më 25 shkurt – një ditë pasi forcat e presidentit rus, Vladimir Putin sulmuan Ukrainën. /Telegrafi/

Exit mobile version