Telegrafi

Vuçiq reagon për “non-paper”: Nuk u ‘hodh’ rastësisht, është shkruar nga një person që i njeh mirë rrethanat

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se një “non-paper” i botuar nga mediat në Kosovë që i referohet zgjidhjes së pretenduar “të çështjes së Kosovës” të përgatitur nga Gjermania dhe Franca, nuk u “hodh” rastësisht.

Madje, siç pretendon presidenti serb, ajo ishte shkruar nga një person i ditur shumë mirë në këtë çështje dhe se ende nuk është analizuar.

Sidoqoftë, ka thënë më tej, Vuçiq, që pjesa për njohjen pavarësisë së Kosovës (nga Serbia) është e papranueshme.

“Unë e shoh që të gjithë e mohojnë, por ai (dokument) më dha më shumë shqetësime sesa ato më herët”, citohet të ketë thënë Vuçiq gazetarëve në Doljevac kur u pyet se çfarë mendonte për pretendimet dhe zgjidhjet e ofruara nga dokumenti i pretenduar.

Ndryshe, publikimi i dokumentit të ashtuquajtur “non-paper” ku flitet për marrëveshjen Kosovë-Serbi, ka nxitur reagime gjithandej, si brenda po ashtu edhe jashtë Kosovës.

Lexo po ashtu Ambasadori gjerman: Dokumenti i publikuar rreth njohjes Kosovë-Serbi, nuk është i vërtetë

Ndër tjerash, pas ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde i cili ka thënë se ky dokument nuk është gjermano-francez siç pretendohet, ka reaguar edhe Ambasada e Francës.

“Franca dhe Gjermania nuk janë burim i të ashtuquajturit non-paper franko-gjerman, botuar sot në Koha Ditore. Ne mbështetim plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mirëpresim përpjekjet e bëra në këtë drejtim nga Përfaqësuesi Special i ngarkuar për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak”, thuhet në reagimin e ambasadës franceze.

Në këtë “non-paper” thuhet se procesi i dialogut duhet të përmbyllet para fundit të shkurtit të vitit 2022, dhe se të dyja palët si Kosova ashtu edhe Serbia, pranojnë sovranitetin e dy shteteve brenda territorit të caktuar të tyre.

Gjatë deklarimit të tij për mediat serbe, presidenti Vuçiq ka folur edhe për “vaksinimin kundër COVID-19 të serbëve në Kosovë”, ku ka thënë se procesi i vaksinimit në Kosovë funksionon më mirë sesa në disa pjesë të Serbisë, duke pretenduar se implementimi i këtij procesi është i ndërlikuar sepse ekzistojnë ndalime nga autoritetet në Kosovë. /Telegrafi/