Telegrafi

Vuçiq reagon, pasi ambasadorja e SHBA-ve në OKB kërkoi largimin e UNMIK-ut nga Kosova

Letra e ambasadores amerikane në OKB, Nikki Haley, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, nga i cili kërkon që të tërhiqet misioni i UNMIK-ut nga Kosova, ka ngjallur reagime të ashpra në Serbi e në veçanti te presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq i cili ka komentuar kërkesën e saj.

Sipas tij, nëse UNMIK-u do të largohej nga Kosova dhe do të formohej ushtria e Kosovës, ky fakt do ta vente Serbinë në pozitë të vështirë, transmeton Telegrafi.

Vuçiq beson se SHBA duan çdo gjë që përfaqëson Kombet e Bashkuara në Kosovë t’i largojnë, pasi për ata Kosova është shtet sovran dhe i pavarur.

Presidenti serb tha se kur SHBA-të të marrin vendime të tilla që janë në përputhje me interesat e tyre, të mendojnë edhe për interesat e stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor.

Lexo po ashtu Nikki Haley i kërkon OKB-së tërheqjen e UNMIK-ut nga Kosova

“Largimi i UNMIK-ut dhe formimi i ushtrisë së Kosovës, do të vente Serbinë në situatë të rëndë, në të cilën nuk do të kishim zgjedhje, as të drejtë çfarëdo tjetër të bëjmë përveç se të mbrojmë vendin tonë”, ka deklaruar Vuçiq.

Sipas tij, një veprim i tillë është dëshmi se amerikanët dëshirojnë të largojnë gjithçka që përfaqësojnë Kombet e Bashkuara në Kosovë, pasi për ata Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran.

“Shihet qartë se duan të largojnë gjurmët e fundit të Rezolutës 1244, dhe të thonë se vendimi i tyre ishte i drejtë”, ka shtuar Vuçiq gjatë konferencës për media.

Megjithatë, ai shpreson që Serbinë askush nuk do ta vë në një pozitë të tillë, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare. /Telegrafi/