Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të paraqesë të martën para deputetëve të Parlamentit të Republikës një raport mbi rrjedhën e negociatave midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.
Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, ndërsa ai bëri të ditur se do të njoftonte parlamentarët hollësisht me të gjitha detajet e dialogut, pritet që fjalimi i tij në parlamentin serb të zgjasë edhe më shumë sesa kur ai foli për këtë temë për herë të parë në maj të vitit 2019.
Ndryshe, fjalimi i tij kishte zgjatur pak më pak se tre orë.
Siç kujtojnë mediat serbe, në atë fjalim të parë në parlament dy vjet më parë, presidenti Vuçiq ndër tjerash paralajmëroi anëtarët e parlamentit serb në atë kohë se Serbia nuk kishte vend për vetëmashtrim, përralla dhe idhuj të rremë.
Sidoqoftë, në fjalimin e tij, Vuçiq nuk kishte ngurruar edhe të ndillte frikë.
“Është çështje e momentit kur shqiptarët do të sulmojnë serbët. Është çështje ditësh dhe muajsh sepse ata nuk mund të durojnë më”, citohet të ketë thënë Vuçiq në atë kohë – gjë që sigurisht nuk ka ndodhur.
Megjithatë, fjalimi i tij tre orësh shoqërohej shpesh me duartrokitje dhe pothuajse nuk kishte asnjë pyetje të pakëndshme, sepse opozita demokratike e atëhershme, e cila bojkotoi punën e parlamentit, ndoqi seancën nga holli i Parlamentit.
Por siç parashikojnë mediat serbe, në seancën e ardhshme do të marrin pjesë vetëm disa opozitarë, kryesisht nga pakicat, të cilët besojnë se asgjë epokale nuk do të dëgjohet gjatë fjalimit të ri të Vuçiq në parlament, si herën e kaluar, përveç ndoshta deklaratës se dialogu nuk dha ndonjë rezultat të veçantë dhe se koordinimi i presioneve ndaj Serbisë për të njohur Kosovën është rritur.
Veç kësaj, siç shkruan Danas, edhe përfaqësuesit e opozitës jo-parlamentare besojnë se atmosfera në seancën e asamblesë do të ngjajë me Bordin Kryesor të Partisë Progresive Serbe, se do të ketë duartrokitje dhe lavdërime për presidentin, por që nuk do të ketë përfundime.
Në thelb, siç deklarojnë bashkëbiseduesit e mediumit serb, Vuçiq mund të përsërisë mesazhet nga viti 2019, të vazhdojë të avokojë për kompromis, të jetë në favor të dialogut, se është nën presion të madh dhe të ketë nevojë për unitet kombëtar.
Sidoqoftë, as publiku, as deputetët nuk do të dëgjojnë detaje rreth vetë dialogut, sa larg ka arritur, cilat janë qëllimet e Serbisë dhe natyrisht cilat janë vijat e kuqe, sepse ai kurrë nuk është përcaktuar qartë. /Telegrafi/