Telegrafi

Vuçiq: Përveç ekonomisë, Kosova dhe Serbia mund të bisedojnë edhe për tema të tjera në Uashington

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ka thënë sot se përveç ekonomisë, Kosova dhe Serbia mund të bisedojnë edhe për tema tjera në Uashington, por pa bërë të ditur se për çfarë temash.

I pari i shtetit serb këtë deklaratë e bëri pas takimit me presidentin e Republikën Serbe të Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, ku kanë diskutuar rreth bashkëpunimit mes dy vendeve, raporton b92.

Vuçiq ka mohuar kategorikisht se në kryeqytetin amerikan do të diskutohet për serbët e Bosnjës, duke thënë se mes Prishtinës dhe Beogradit do të diskutohet për ekonominë, por nuk përjashtohet mundësia të hapen edhe disa tema të tjera, transmeton Telegrafi.

“Me sa di unë, do të ketë bisedime për çështje ekonomike mes Beogradit dhe Prishtinës në Shtëpinë e Bardhë. Por, unë nuk i përjashtoj edhe temat e tjera”, tha presidenti serb, duke mos dhënë shumë detaje.

Lexo po ashtu Vuçiq: Bisedimet me Kosovën në Uashington, më 3 ose 4 shtator - për shkak të presidentit Trump

“Kur ju shtroni pyetjen se pse Kosova ka të drejtë të shkëputet dhe jo Republika Serbe, unë nuk mund t’ju jap një përgjigje, madje as nuk di se kush mundet”, shtoi më tutje Vuçiq. /Telegrafi/