Site icon Telegrafi

Vuçiq përhap panik: Serbët në Kosovë, të shqetësuar si kurrë më parë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nga aksioni i Policisë së Kosovës në veri, janë arrestuar 23 persona të nacionalitetit serb dhe boshnjak.

Sipas tij, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, shumica e të arrestuarve janë anëtarë të policisë së Kosovës.

Madje, sipas tij, kjo ishte një përpjekje për të kriminalizuar popullin serb, i cili siç ka thënë Vuçiq, është i shqetësuar si kurrë më parë.

Një deklaratë të tillë, Vuçiq e ka dhënë në Kuvendin e Serbisë.

Ndryshe, gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, deri tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, si dhe disa qytetarë.

Përveç kësaj, është raportuar se ka edhe policë të plagosur, gjendja e të cilëve është jashtë rrezikut për jetë.

Policia e Kosovës ndërkohë ka njoftuar se operacionit policor i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së dhe PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në veprimtari kriminale ‘pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal’ dhe vepra tjera të specifikuara.

Po ashtu gjatë operacionit, siç është bërë e ditur, Policia ka konfiskuar gjësende të ndryshme përfshirë edhe disa armë. /Telegrafi/

Exit mobile version