Telegrafi

Vuçiq për takimin virtual në Paris: Prishtina u shfaq me një ultimatum me disa pika

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kishte një bisedë të vështirë gjatë takimit virtual të Parisit dhe se gjermanët dhe francezët do të lëshojnë një deklaratë të përbashkët.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, presidenti Vuçiq ka thënë se “Serbia nuk i pranon ultimatumet e Prishtinës, dhe se ne duhet të përpiqemi të veprojmë me guxim”.

“Pala shqiptare doli me kërkesa, të tilla si ruajtja e integritetit territorial të Kosovës, ruajtja e Kushtetutës dhe organizimi kushtetues i Kosovës, njohja e përhershme reciproke, anëtarësimi në OKB dhe që nga vendet tjera evropiane të kërkohet njohja e Kosovës…”, ka thënë Vuçiq.

Siç thuhet më tej, ai ka njoftuar për vazhdimin e dialogut të enjten në Bruksel.

Po sipas mediave, Vuçiq ka thënë që Serbia nuk do të ekspozohet ndaj presioneve të mëdha dhe në të njëjtën kohë do të has në “një qasje krejtësisht jorealiste të shqiptarëve të Kosovës, të cilët do të donin gjithçka, dhe se Serbia do të mbetej pa asgjë”.

“Ne jemi të gatshëm për të diskutuar të gjitha hapat që do të përmirësojnë marrëdhëniet midis njerëzve, qarkullimin e njerëzve, mallrave, kapitalit, por jo të pranojmë ultimatume. Kjo nuk është e mundur dhe realiste”, është cituar të ketë thënë Vuçiq.

Siç ka thënë ndër tjerash ai, vazhdimi i dialogut do të jetë nën udhëheqjen e të dërguarit të posaçëm të BE për dialog, Mirosllav Lajçak. /Telegrafi/