Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk do të komentojë asgjë pas takimit me përfaqësuesit e vendeve të QUNT-it.
“Kam marrë vendimin që të mos them asnjë fjalë për takimin me përfaqësuesit e vendeve të QUNIT-it dhe me shefin e delegacionit të BE-së në Serbi. Mendoj se është më mirë për të gjithë”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Presidenti i Serbisë, mëngjesin e së mërkurës, më 14 qershor, ka takuar përfaqësuesit e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe me shefin e delegacionit të BE-së.
Takimi ka ndodhur një ditë pasi Policia e Kosovës ka arrestuar Milun Milenkoviq-Lune në veri të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Milenkoviq ishte një nga organizatorët e sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan dy javë më parë.