Site icon Telegrafi

Vuçiq për marrëveshjen: Nuk bëhet fjalë për anëtarësim të Kosovës në OKB dhe as për njohje nga Serbia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me ministrin italian Antonio Tajani, ka thënë se ai qëndron prapa atyre që ka thënë në Bruksel dhe Beograd, kur bëhet fjalë për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Megjithatë, siç ka thënë ai – duke folur për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – “nuk bëhet fjalë për anëtarësim në OKB dhe as për njohje”.

“Të tjerat që kanë të bëjnë me marrëdhënie normale mes serbëve dhe shqiptarëve, pa tensione, Serbia do t’i zbatojë, e nëse do t’i zbatojë dikush tjetër, ne do të shohim”, citohet të ketë thënë më tej Vuçiq, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, në takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre.

Lexo po ashtu Pasoja në rast të moszbatimit - marrëveshja për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, deklarata e Escobarit dhe ambasadorit Guerot

Edhe pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk nënshkruan asnjë dokument në Ohër, ndërmjetësuesit evropianë thanë se presin që palët të zbatojnë gjithçka për të cilat u pajtuan liderët.

Marrëveshja, që njihet edhe si propozimi evropian, kërkon nga Beogradi që të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Ndërkohë mediat serbe shkruajnë se Tajani ka thënë se “Italia dëshiron të jetë protagoniste në Ballkanin Perëndimor”.

Por presidenti serb ka kujtuar se Serbia nuk ndan të njëjtin mendim me Italinë, sa i përket Kosovës.

“Për Italinë Kosova është shtet i pavarur, për ne nuk është, por është detyra jonë të flasim dhe të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, citohet të ketë thënë Vuçiq. /Telegrafi/

Exit mobile version