Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk do të vizitojë fshatin Banjë të Skenderajt, pasi që kryeministri Haradinaj ka tërhequr lejen që presidenti serb të vizitojë këtë fshat të Drenicës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sapo ka njoftuar se ka tërhequr lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës për vizitën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në zonën e Drenicës.
“Siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhjekur lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, ka shkruar Haradinaj.
Deri te anulimi i vizitës ka ardhur pasi protestuesit kanë bllokuar dy rrugë kryesore nga Mitrovica për në Skenderaj, për të mos lejuar vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në fshatin Banjë.
Protestës së thirrur nga Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, i janë bashkangjitur qytetarët dhe kreu i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili ka thënë se presidenti serb nuk mund ta vizitojë Drenicën, derisa të kërkojë falje për krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan Telegrafi.
Presidenti i Serbisë mëngjesin e sotëm ka vizituar Qendrën Shëndetësore në Mitrovicë. Vuçiq, duke folur për protestën dhe bllokadën e rrugëve në Drenicë, tha se gjërat duhet të zgjidhen me fjalë.
“Unë jam duke u angazhuar fuqimisht në ruajtjen e paqes ndërmjet popullit të Kosovës dhe Serbisë. Gjërat duhet të adresohen me fjalë dhe me mendje, jo me mjete të ndryshme dhe armë”, tha Vuçiq. /Telegrafi/