Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk pajtohet me pretendimet e Ramush Haradinajt se kreu i diplomacisë evropiane Federica Mogherini është njeriu që duhet fajësuar për situatën aktuale në dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, një mbështetje të tillë për Mogherinin, Vuçiq e ka dhënë derisa është pyetur për të komentuar mbi deklaratën e Haradinajt se Mogherini është për t’u fajësuar për dështimin e dialogut.
“Nuk mendoj se Mogherini në ndonjë mënyrë ka favorizuar Serbinë. Përkundrazi. Për këtë mund të fajësohemi ne ose Prishtina. Le ta mendojnë mirë në Prishtinë se kush është ai që dëshiron marrëveshje dhe kush është ai që nuk dëshiron”, citohet të ketë thënë presidenti i Serbisë.
Ndryshe, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media ka thënë se shefja për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini i ka shkaktuar dëm Kosovës.
Haradinaj ka thënë se Mogherini e ka shkatërruar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke e kthyer në një dialog për shkëmbim territoresh e jo për normalizim raportesh.
“Mogherini e ka mbyt dialogun, e ka kthyer nga një dialog për normalizim, në një dialog për kufij e territore. Ajo realisht i ka shkaktuar dëm vendit tonë. Është shumë për keqardhje pas një investimi të madh të BE-së. Mendimi i saj për mua nuk vlen. Unë se kam personale me askënd dhe kushdo që ia lejon vetes të flasë për opsione kufij ose territore janë kundër paqes në Ballkan. Këto çrregullimet e dialogut na kanë sjellë ku jemi sot”, ka thënë ndër tjerash Haradinaj.
Deklarata e Haradinajt ka ardhur pasi përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mohgerini, siç kanë raportuar mediat ka thënë: “Dialogu duhet të vazhdojë dhe të ketë përfundim pozitiv, këtë ne e kemi mbështetur. Përfundimi pozitiv do të ishte një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese që do t’i adresonte dhe do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e ndërlidhura me normalizimin e marrëdhënieve – të gjitha, pa përjashtim”. /Telegrafi/