Site icon Telegrafi

Vuçiq: Nëse dikush nuk e vetëdijeson Prishtinën, Ushtria e Kosovës dhe vendosja e taksës “do të kenë pasoja”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një konference për media të mbajtur në Beograd ka deklaruar se vendimet e shqiptarëve kanë treguar se ata kurrë nuk kanë dashur kompromis me Serbinë, por ta poshtërojnë.

Ai gjithashtu ka thënë se nga Prishtina sipas tij kanë ardhur dy lajme të këqija – që mbetet në fuqi taksa 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si dhe formimi i ushtrisë së Kosovës, që sipas tij është një sinjal i katastrofës nëse dikush nuk e vetëdijeson Prishtinën, transmeton Telegrafi.

“Ajo çfarë më brengos më së shumti, është fakti që autoritetet në Prishtinë nuk duan të dëgjojnë për heqjen e taksës prej 100 për qind për mallrat nga Serbia. Ata janë zotuar se taksa do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njeh pavarësinë e Kosovës. Lajmi tjetër i keq është që shqiptarët kanë paralajmëruar formimin e ushtrisë më 14 dhjetor, që është në kundërshtim me marrëveshjen e NATO-së”, ka shtuar Vuçiq.

“Qëllimi dhe dëshira e tyre është e rrezikshme që na sjell ne para aktit të kryer. Serbia nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës dhe duhet ta dinë se me Serbinë nuk bisedohet ashtu”, ka thënë për fund presidenti serb. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version