Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk do të vijë në Kosovë, në kuadër të fushatës parazgjedhore për president të Serbisë.
Anulimin e vizitës së paraparë për të mërkurën në veri të Kosovës, kryeministri serb thotë ta ketë bërë për shkak se nuk pranon kushtëzimet që ia ka bërë Qeveria e Kosovës.
“Nuk do të shkoj në Kosovë. Nuk vjen në shprehje një presion i llojit të tillë, as ‘cirku’ që po bën Prishtina”, ka thënë Vuçiq, pë televizionin shtetëror serb “RTS”, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në lidhje me vizitën e kryeministrit serb në Kosovë, ka marrë vendim për ta lejuar këtë vizitë, për vetëm tri orë.
Vuçiq ishte kushtëzuar gjithashtu që gjatë vizitës të mos shoqërohet nga ministri i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviq, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, të cilëve më herët iu është ndaluar hyrja në Kosovë. /Telegrafi/