Ish-bashkëpartiaku i Aleksandar Vuçiqit në Partinë Progresive Serbe (SNS), tani kryetar i Këshillit Euro-Atlantik të Serbisë, Dragan Shormaz, ka komentuar reagimet e presidentit serb lidhur me sulmin e fundit terrorist me eksploziv në kanalin e Ibër – Lepencit në veri të Kosovës.
Shormaz, përmes një postimi në platformën “X”, thotë se presidenti serb Vuçiq mohon se qëndron pas aktit terrorist në kanalin e Ibër – Lepencit në afërsi të Zubin Potokut, ashtu siç kishte mohuar edhe sulmin terrorist në Banjskë një vit më parë.
“Gjithë ditën Aleksandar Vuçiq dhe grupi i tij justifikohen ‘nuk jemi ne, nuk është Serbia’! Pra, si atëherë pas Banjskës nuk ishit i dyshuar dhe nuk e keni ekstraduar apo gjykuar Radoiçiqin!”, ka shkruar Shormaz, transmeton Telegrafi.
Tutje politikani serb thotë se kush mund t’i besojë Vuçiqit pas fshehjes së përgjegjësisë për vdekjen e 15 personave në Novi Sad nga rënia e një çatie në stacionin hekurudhor.
“Kush mund t’ju besojë kur keni treguar se jeni gati të bëni gjithçka për të “fshehur” përgjegjësinë për 15 të vdekur!”, ka shkruar ai.
Ceo dan se @avucic i njegova kamarila pravdaju: “nismo mi, nije Srbija”! Pa kako posle Banjske da nisi osumnjičen, a još Radoičića nisi izručio niti sudio! Ko da ti veruje kada si pokazao da si na sve spreman da “sakrijes” odgovornost za 15 mrtvih!https://t.co/mejF1G45ja
— Dragan Šormaz (@dragansormaz) November 30, 2024
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë ndodhi në veri të Kosovës, ku nga një shpërthim me eksploziv dëmtua kanali i Ibër-Lepencit.
Një shpërthim mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend. /Telegrafi/