Telegrafi

Vuçiq: Ky nuk është viti 1389 ashtu si mendojnë disa

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se ky nuk është viti 1389, ashtu sikurse disa mendojnë, por viti 2017 dhe se dëshirojnë lidhjen e marrëdhënieve sa më të mira me Turqinë.

Ai gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, tha se marrëdhëniet e tyre janë me rëndësi për të ardhmen dhe interesin e Serbisë.

Vuçiq tha se nuk kanë asgjë me Fetullah Gulen, të cilin Erdogan e akuzon se qëndron prapa tentim-puçit të dështuar të vitit të kaluar.

Ndërsa, Erdogan tha se do të ketë prej atyre që kritikojnë forcimin e miqësisë ndërmjet dy vendeve, por nuk duhet bazuar në këtë.

“Nuk do të shikojmë kush çka flet dhe çka komenton. Pas një periudhe të vështirë kemi ardhur këtu ku jemi. Dëshirojmë që me Serbinë, por edhe me gjithë Ballkanin, të bëjmë hapa të mëdhenj për të zgjidhur këtë problem. Andaj, është e nevojshme që ndërmjet Sarajevës dhe Beogradit sa më parë të krijohet një rrugë”, tha Erdogan, duke shtuar se është e nevojshme “që të punojmë së bashku”.

Erdogan tha se Novi Pazari paraqet një urë në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.

“Dua të theksoj se kurrë nuk do të jem për nacionalizëm dhe këtë do ta përsëris edhe atje”, tha Erdogan, i cili do të vazhdojë vizitën nesër në Novi Pazar.