Telegrafi

Vuçiq komenton deklaratën “rreth njohjes së Kosovës nga Serbia”

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se agjencisë ANSA i ka thënë atë që çdo ditë e thotë publikisht dhe se nuk ka folur për njohjen e Kosovës.

“Unë nuk e di se çfarë është transmetuar. Asgjë për njohjen nuk kam thënë, përveç se kam thënë se nuk kemi zgjidhje kompromisi”, ka thënë Vuçiq në një konferencë shtypi, pas takimit me kryeministrin italian Giuseppe Conte.

Madje, sipas tij, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, lansimi i vazhdueshëm i kësaj teme është në interes të shqiptarëve të Kosovës.

Lexo po ashtu Gabim në përkthim apo u pendua Vuçiq - cila është e vërteta për deklaratën rreth njohjes së Kosovës?

“Unë nuk shoh se për kë mund të jetë interesante, përveç shqiptarëve dhe patriotëve të rremë serbë”, ka shtuar tutje presidenti i Serbisë.

Megjithatë, siç ka thënë Vuçiq, nuk është ai që mund të përjashtonte ndonjë temë diskutimi, e as të ndalonte askënd që të thotë atë që dëshiron.

Lexo po ashtu Vuçiq paralajmëron mundësinë e njohjes së Kosovës

Një deklaratë e tillë e tij vjen pasi agjencia italiane e lajmeve ANSA kishte shkruar se presidenti serb ka lënë të kuptohet se Serbia mund ta njohë Kosovën.

“Nuk mund ta njohim Kosovën, e të mos marrim ndonjë gjë nga ana tjetër”, raportoi të hënën pasdite agjencia e lajmeve Beta e Beogradit një përgjigje kyçe të Aleksandar Vuçiqit nga një intervistë për agjencinë italiane ANSA.

Gjithsesi, kjo deklaratë ishte mohuar të martën, duke thënë se mund të ketë qenë një “gabim në përkthim”. /Telegrafi/