Site icon Telegrafi

Vuçiq komenton deklaratën e Thaçit se “më me dëshirë to të dialogonte me dreqin, se me të”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot në Helsinki, para se të nisej për bisedime të reja në Bruksel për të diskutuar marrëdhëniet me Prishtinën, ka komentuar edhe deklaratën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi se “më me dëshirë do të dialogoja më një dreq, sesa me Aleksandar Vuçiqin”.

“Është interesante se për Sulejman Ugljaninin dhe mbështetësit e tij jam homoseksual dhe fashist, për kroatët jam terrorist, ndërsa për Thaçin jam dreq”, citohet të ketë thënë Vuçiq, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Thaçi: Më me dëshirë do të dialogoja më një dreq, sesa me Aleksandar Vuçiqin

Ai ka shtuar se epitete të tilla ka marrë edhe nga vetë serbët.

“Unë nuk dua të lëshohem në vlerësime personale, edhe nëse nuk është mirë të flasësh me Thaçin apo ndonjë prej tyre. Por, siç e kam thënë në mënyrë të përsëritur, është më mirë të negociosh për 100 vjet se sa të luftosh një ditë”, ka shtuar Vuçiq.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme në Bruksel vazhdojnë bisedimet Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ky është takimi i katërt i fazës finale për arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve.

Duke komentuar këto takime, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si shpeshherë, i ka quajtur të vështira.

Ndërsa duke folur për presidentin serb, Thaçi ka thënë se më me dëshirë do të dialogonte më një dreq sesa me të. /Telegrafi/

Exit mobile version