Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq ka falënderuar të premten shefen e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini, për vizitën në Serbi, duke thënë se është e mirëseardhur, ndërkohë që ka shprehur keqardhje për incidentin në parlament gjatë fjalimit të Mogherinit.
“Për ta bërë një gjë të tillë, për 20 minuta pa u ndalur para një gruaje nuk është aspak e ndershme. Porç farë të bëjmë…”, ka thënë ndër tjerash Vuçiq, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini është përballur me një situatë të pakëndshme derisa po fliste në foltoren e Kuvendit të Serbisë, pasi që gjatë kësaj kohe deputetët e Partisë Radikale kishin bërtitur “ua” dhe kanë thirrur parullën “Serbia, Rusia, nuk na duhet Unioni”.
Mogherini fillimisht u është drejtuar të pranishmëve në gjuhën serbe, ndërsa gjatë gjithë kohës derisa po fliste, gjysmë ore, radikalët vazhduan që të bërtasin.
Ata njëkohësisht kanë goditur me duar karriget në të cilat ishin ulur.
Pavarësisht sjelljes skandaloze të Sheshelit dhe deputetëve radikalë, Mogherini ka vazhduar me fjalimin e saj dhe e ka përfunduar në mënyrë të qetë.
Në sallën e Kuvendit deputetët e lëvizjes Dveri kishin përgatitur transparente në të cilat shkruante në gjuhën serbe dhe angleze “Serbia nuk i beson Brukselit”. /Telegrafi/