Presidenti i Serbisë, njëherësh presidenti i Partisë Progresiste Serbe, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia është “kryqëzuar midis dëshirës dhe realitetit” për çështjen e Kosovës.
“Ka diçka që do të donim dhe diçka që është realitet. Unë do të luftoj ashpër për Kosovën, shumë më tepër se ata që fjalët e të cilëve ishin heroike dhe veprat e të cilëve ishin boshe”, citohet të ketë thënë Vuçiq, në një fjalim të veçantë para zgjedhjeve në 21 qershor në Serbi, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, lidhur me Kosovën, Vuçiq ka bërë një deklaratë tjetër gjatë ditës së enjte.
Ai kishte deklaruar se është informuar nga shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov, se e presin Serbinë periudhë të vështira, ku do të ballafaqohen me presione të shumta sa i përket Kosovës.
Gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Rusisë në Beograd, Vuçiq tha se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet për këtë duhet të deklarohet edhe Rusia.
“Do të mbrojmë interesat tona, pavarësisht çmimit që do të duhej ta paguanim”, ka porositur Vuçiq duke shtuar se prej sot do të jetë në kontakt të vazhdueshëm më Kremlinin.
“Kemi marrë vlerësime të caktuara nga Rusia, më saktësisht nga Lavrovi, që mua si president më kanë shqetësuar, e kanë të bëjnë me planet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, kishte thënë Vuçiq. /Telegrafi/