Telegrafi

Vuçiq ia ndalon Nikoliqit të flasë për luftën me Kosovën

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ua ka ndaluar ministrave të kabinetit të tij, zyrtarëve shtetëror dhe nëpunësve civilë, të komentojnë mbi zhvillimet në rajon për shkak të deklaratave të pamatura që janë bërë ditëve të fundit nëpër media nga zyrtarët e lartë të këtij vendi, shkruan e përditshmja serbe Blic.

“Ju lutem që në të ardhmen, për shkak të ndjeshmërisë së momentit politik në rajon, më lejoni që të jem i vetmi që në emër të Qeverisë të komentoj mbi marrëdhëniet në rajon. Ju faleminderit për mirëkuptimin tuaj, dhe ju lutem të informoni të gjithë zyrtarët dhe punonjësit e Qeverisë rreth kërkesës sime”, thuhet në një letër dërguar institucioneve serbe, transmeton Telegrafi.

Vuçiq është provokuar me sjelljet dhe deklaratat e presidentit Tomislav Nikoliq dhe drejtorit të Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, të cilët ditëve të fundit nuk i kanë zgjedhur fjalët që i kanë folur. /Telegrafi/