Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot se pret që Ramush Haradinaj të lirohet shpejt nga Haga dhe të bëhet hero edhe më i madh.
Ai ka thënë se me dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Kosovës, para se të shkonte në Gjykatën Speciale, Haradinaj ka mbrojtur interesat e Kosovës.
“Nuk kam iluzione, as nuk pres shumë. Pres një farsë, një shfaqje dhe se do të thotë se UÇK-në e kanë përbërë trimat që e mbrojtën vendin nga agresorët serbë”, tha Vuçiq për TV Pink, përcjell Telegrafi.
Ai tha se nuk mendonte se Haradinaj, i cili ishte ftuar në intervistim në Gjykatën Speciale për krimet e luftës të UÇK-së, ka lidhje me vrasjen e serbëve në Grckë e Vjetër, të ekzekutuar pikërisht para 20 vjetësh.
Vuçiq tha se ai beson se Haradinaj megjithatë ka të bëjë me shumë krime të tjera. /Telegrafi/