Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është takuar sot në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Vuçiq theksoi se ka pasur një takim të hapur me Sorensenin, të cilin siq tha e ka njoftuar me “problemet që ballafaqohet populli serb në Kosovë”, transmeton Telegrafi.
“Shpreha shqetësimin e veçantë për pozitën e vështirë në të cilën ndodhen serbët në Kosovë për shkak të lëvizjeve të shumta të përshkallëzuara, të njëanshme dhe të dhunshme nga Prishtina. Gjithashtu theksova pengesat e vazhdueshme që Prishtina i zbaton në procesin e dialogut dhe ritheksova se formimi i Asociacionit të komunave më shumicë serbe, pas 12 vitesh, është esencial për të përmbushur detyrimet e para të normalizimit të marrëdhënieve të Prishtinës ”, ka theksuar Vuçiq në një postim në Instagram.
Siç shtoi ai, theksoi pritjen që BE-ja të forcojë angazhimin e saj për të ruajtur besueshmërinë e dialogut dhe për të ruajtur një rol të paanshëm në këtë proces.
“Përsërita qëndrimin e Serbisë se vetëm dialogu konstruktiv dhe zgjidhjet kompromisi mund të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, tha presidenti serb.
Sorensen javën e kaluar ishte në një vizitë treditore në Kosovë, gjatë së cilës pas takimeve të ndara me zyrtarë të institucioneve të Kosovës, tha se është diskutuar se si të ecet përpara në procesin e dialogut. /Telegrafi/